Fshati në Kosovë që kultivon bredha për Vitin e Ri – Video

Në fshatin Koretin të Komunës së Kamenicës, pjesa më e madhe e banorëve merren me kultivimin e bimëve të gjelbra e drurëve dekorues.

Sipërfaqe të mëdha të tokës po i mbulojnë bredhat e pishat që e mbajnë ngjyrën e gjelbër, ani pse stina e dimrit është në prag.

Në njërën nga arat e familjes Dervishi po rriten pishat e madhësive të ndryshme, të cilat kudo për rreth përhapin erën karakteristike të tyre.

Arbias Dervishi është gjenerata e dytë që merret me këtë veprimtari. I rritur mes drurëve e bimëve tash e di më së miri si të kujdeset për to.

Bimëve që i kultivon ua di të gjitha specifikat e edhe emrat në gjuhën latine.

E më të veçantit, sidomos për fund vit janë bredhat.

Derisa më shumë kërkohen ata nga plastika, kohëve të fundit edhe bredhat e gjallë po i blejnë me qëllim për ti zbukuruar për Vitin e Ri e Krishtlindje, tregon Dervishi.

Pasi që festat të kalojnë, bredhat që i kanë zbukuruar ato, zakonisht zhvendosen për tu mbjellë në oborre.

Bredhat që po kultivohen në fshatin Koretin vijnë në madhësi, ngjyra e tipa të ndryshme.

Kanë edhe jetëgjatësi të madhe dhe shumë veçanti të tjera të cilat Dervishi i ka mësuar me anë të hulumtimit e leximit të vazhdueshëm për to.

Nga 7 euro deri në 30 janë çmimet e bredhave që kërkohen më së shumti në dhjetor, varësisht nga madhësia e lloji.

Reklama