Fjalimi i Latifit në Kuvendin Komunal: Lirinë e kemi fituar me gjak dëshmorësh

Kuvendi Komunal i Rahovecit sot ka mbajtur një seancë solemne për të shënuar Ditën e Çlirimit të Rahovecit.

Kryetari Smajl Latifi e ka mbajtur një fjalim në këtë seancë, ku ka thënë se “lirinë e kemi fituar me gjak dëshmorësh”.

Më poshtë gjeni të plotë fjalimin e Latifit:

Lirinë e kemi fituar me gjak dëshmorësh

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, struktura të pushtetit lokal, anëtarë të Kuvendit të Komunës, të nderuar qytetarë të pranishëm në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, që në fillim dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia të përzemërta në këtë përvjetor të njëzetë të largimit të forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe nga komuna jonë. Ngjarje si kjo përbëjnë thelbin dhe kurorëzimin e krejt angazhimeve të shumë atdhetarëve tanë për dedaka me radhë.

 

Mbase gjithkush do të dëshironte të thurë kurora dafine për një grup të caktuar shoqëror, për ndonjë individ të veçantë apo edhe për ndonjë organizatë a lëvizje popullore, që dorën në zemër janë kush më shumë e kush më pak meritor për arritjen e lirisë, por merita për këtë kanë të gjithë ata që në çfarëdo forme u angazhuan për idealin e lirisë. Shpirti i paepur i popullit tonë, dashuria dhe lidhja e fuqishme me tokën e të parëve, varret e të parëve, vuajtjet dhe mjerimet e patreguara të njerëzve tanë, përbëjnë thelbin e qenies tonë kombëtare.

Në këtë ditë të veçantë është e udhës të kujtojmë individët dhe grupet e organizuara atdhetare, të cilët me vetëmohim të pashoq besuan në fitore. Qëndresa dhe përkushtimi i njerëzve tanë në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, edhe atëherë kur jeta dhe vdekja vareshin në fije të perit, është shembullor. Për shumë vite e dekada qenie jonë kombëtare ishte e ekspozuar shkatërrimit dhe sulmeve të vazhdueshme të armiqve të shumtë. Aq shumë plane e projekte shkombëtarizuese, aq shumë sulme e vandalizma u realizuan mbi shqiptarët, saqë mbijetesa jonë mund të quhet mrekulli.

Veç një qëllim i naltë t’ban me durue

e zemrën ta forcon

Ndër kundërshtime s’vyn kurrë me u ligshtue,

I mjeri ai që nuk qëndron. Do të shkruajë poeti dhe atdhetari i madh Luigj Gurakuqi.

Janë këto shembëlltyra dhe qëndresa të atdhetarëve të shumë, të cilët motivuan dhe mbrujtën me atdhedashuri breza të tërë luftëtarësh e qëndrestarësh shqiptarë. Edhe brezit tonë i ra për hise të japë kontributin e vet për historinë dhe ky ishte një obligim që duhej përmbushur. Ata djem e vajza që u rreshtuan në radhët e luftëtarëve të lirisë e bënë gjënë e duhur. Sot e kemi obligim moral e atdhetar të kujtojmë e nderojmë të gjithë ata që në forma të ndryshme i qëndruan karshi të keqes. Shumë prej këtyre djemve e vajzave mbetën në fushë të nderit dhe u bënë vetë historia.

Jetët e dhëna për lirinë kanë peshën e krejt historisë tonë tragjike, por kujtesa jonë historike duhet të rifreskohet, që të mos na përsëriten dhimbjet e humbjet e reja. Prandaj, ndërtimi i jetës së re me kujdes dhe me përkushtim është ndër detyrimet që i kemi ndaj të ardhmes. Shija e lirisë që ka filluar të ndjehet gjithnjë e më tepër na jep shpresë se njerëzit e këtij vendi do të dinë ta çmojnë dhe vlerësojnë sakrificën e njerëzve dhe përkushtimin e tyre për liri.

Të nderuar të pranishëm, jam i nderuar që në këtë njëzetvjetor të kem mundësi të kremtojmë së bashku, jo vetëm fitoret tona të përbashkëta, por edhe të ndaj me ju zotimin për angazhime edhe më të mëdha për të jetësuar idealin e dëshmorëve tanë. Në cilësinë zyrtare e kam obligim të zotohem për punë të mira, por edhe si ish bashkëluftëtar i dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, t’ju ftoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë.

Në këtë mënyrë do të dëshmojmë më shumë qytetari dhe do të tregojmë se jemi të denjë të bëhemi pjesë e Evropës dhe organizmave të tjerë ndërkombëtar. Fakti që ne nuk kemi ushtruar dhunë e terror mbi popujt tjerë është dëshmi e këtij përkushtimi dhe për këtë shkojmë me kokën lart në çdo organizëm ndërkombëtar. Pavarësisht përpjekjeve të parreshtura të armiqve tanë për ta njollosur luftën tonë të drejtë. Mbase duhet të kemi më shumë angazhime për të dokumentuar këtë luftë të drejtë e fisnike.

Pastërtia e luftës tonë nuk ka të bëjë me bartësit e barrës së luftës, por kjo i kontribuon historisë dhe ata që nuk janë të vetëdijshëm për këtë rol, nuk i bëjnë shërbim të mirë historisë tonë. Pavarësisht përpjekjeve të armiqve tanë për t’na paraqitur para botës si vrasës, kriminelë e shkatërrues të kulturës së të tjerëve, ata gjithmonë kanë dështuar. Kanë dështuar sepse e vërteta dhe e drejta kanë qenë në anën tonë dhe kështu është e edhe tani.

Prandaj, thirrja ime është e qartë; të ruajmë dhe kultivojmë vlerat tona më të mira morale e materiale, të fituara me gjak dëshmorësh e martirësh të shumtë. Lirinë e kemi fituar me gjak dhe pesha e gjakut është e rëndë. Ta gëzojmë lirinë dhe ta ndërtojmë të ardhmen, ky është obligimi ynë i çdoditshëm dhe i vazhdueshëm.

Lavdi të rënëve për liri!

E gëzofshim lirinë ndër shekuj!

Reklama