Filozofi i Kadri Veselit kërkon zbatimin e Kanunit kundër ngasësve të pakujdesshëm

Filozofi Blerim Latifi përmes Facebook-ut ka treguar një ngjarje që tha se i ka ndodhur sot duke shkuar për në punë. I njejti ka treguar se kishte qenë pjesë e një situate kur një vajzë e vogël së bashku me nënën e saj për pak se sa si kishte shkelur një veturë.

Përmes Facebook-ut, Latifi ka shkruar se vetura e cila po qarkullonte me shpejtësi marramendëse për pak se nuk ia mori jetën të dyjave, nanë e bijë.

Tutje, ai po thotë se Prishtina është e mbushur me shoferë të tillë, të cilët i ka quajtur të çmendur sepse vozitin me shpejtësi marramendëse.

Në fund, ai po thotë se këta persona, që sipas tij janë hora, nuk duhet të kenë patent shoferë, e se vetëm kanuni i Lekë Dukagjinit iu del hakut.

Shkrimi i plotë:

Kur horrat vozisin nëpër sokaqet e Prishtinës

Sot, kur dola për të shku në punë, isha dëshmitar i një situate, e cila duke qenë shumë prezente tek ne, po e bën më të rëndë jetën në këtë vend dhe sigurisht edhe më të shëmtuar realitetin tonë social.

Një nanë, me një vajzë të vogël, derisa po kalonin sokakun, për pak sa nuk u shtypën nga një veturë që kaloi atypari, me një shpejtësi marramendëse. Ishin çështje sekondash për t’ua marrë jetën të dyjave.

Prishtina është e mbushur me shoferë të tillë të çmendur, që nëpër sokaqet e saj, vozisin me shpejtësinë e garave sportive në Formula 1. Ta marrin jetën dhe të nesërmen të kërkojnë me u’a falë gjakun dhe krahas kësaj kërkojnë ndonjë gjykatës të korruptuar, për të dalë sa më parë prej burgut. Këtyre horrave, nuk u dilet në krye me heqje të patentë shoferit, as me drejtësinë e prokurorëve e gjykatësve të korruptuar. Këtyre horrave veç Kanuni i Lekës u del hakut.

Reklama