Federata e Spanjës më në fund i drejtohet në emër Kombëtares së Kosovës

Duket se Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) është dorëzuar më në fund në përpjekjet e saj për të mos e trajtuar Kosovën si shtet, pasi pas ngurrimit të vazhdueshëm për t’iu drejtuar në emër ekipit kombëtar të Kosovës, sot e ka bërë një gjë të tillë.

Spanja dhe Kosova do të përballen sonte në orën 20:45, në rrethin e tretë të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë.

RFEF-ja kishte shkaktuar shumë polemika dhe zemërim në Kosovë kur i ishte drejtuar asaj si “territor” në njoftimin e parë për takimin e Spanjës me Kosovën në Grupin B kualifikues për Kupën e Botës muaj më parë, raporton Gazeta Express.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i kishte reaguar asaj duke e kërcënuar se nuk do të luante nëse simbolet e saj shtetërore nuk do të respektoheshin. Pas një bisede mes krerëve të dy federatave dhe UEFA-s, Spanja u detyrua të pranojë që ndeshja të zhvillohet në bazë të rregullave të UEFA-s e FIFA-s dhe se Kosovën do ta trajtonte si të barabartë.

Por shtëpia e futbollit spanjoll e kishte vazhduar qëndrimin e njëjtë ndaj Kombëtares së Kosovës edhe në njoftimet tjera, përfshirë edhe dje në lajmet për konferencën e trajnerit të furisë së kuqe, Luis Enrique, për takimin e sotëm me Kosovën.

Gjatë ditës së martë, RFEF-ja në të gjitha njoftimet e saj e kishte shmangur përmendjen e emrit Kosovë edhe pse bëhej fjalë për takimin Spanjë-Kosovë.

Por sot, në njoftimin e saj për ndeshjen e orës 20:45, RFEF-ja nuk ka pasur si ta shmangë përmendjen e emrit Kosovë.

“Ndeshja e fundit e Kombëtares. SPANJË – Kosovë. Faza kualifikuese për Katar 2020”, shkroi RFEF-ja në Twitter.

Ndërkohë, sa i përket lojës në fushë, as Spanja e as Kosova nuk vijnë në këtë takim në formën e tyre më të mirë.

Furia e kuqe i ka fituar vetëm dy prej pesë ndeshjeve të fundit në të gjitha garat, duke e humbur një dhe duke barazuar në dy të tjera.

Verdhekaltrit, në anën tjetër, i kanë humbur tri prej pesë ndeshjeve të fundit, duke i fituar dy të tjera dhe duke barazuar në një tjetër.

Derisa Spanja përjetoi barazim zhgënjyes 1:1 me Greqinë në ndeshjen e saj hapëse në kualifikime për Botërorin e Katarit para se ta mposhte Gjeorgjinë me zor në ndeshjen pasuese, Kosova u mposht bindshëm 3:0 nga Suedia në ndeshjen e saj hapëse në Prishtinë.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve, e ndjekur nga Spanja me katër pikë. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është e katërta pa pikë pas një ndeshjeje, ndërsa Gjeorgjia e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshje.

Reklama