Fatmir Sejdiu përfundon takimin me Isa Mustafën: Jam gati të bëhem kryetar i LDK-së

Dikur kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, është takuar me kreun aktual të kësaj partie, Isa Mustafën, veç pak ditë para se të zgjidhet kryetari i ri.

Sejdiu ka folur për media menjëherë pas takimit, duke shfaqur haptazi gatishmërinë për t’u bërë kryetar i LDK-së, të cilën gjë ai e ka quajtur “gatishmëri për të marrë përgjegjësitë e duhura”.

Ai ka shtuar se paraqitjen e kandidaturës do ta bëjë formalisht në mbledhje, por ka shtuar se do të analizojë deri në ditën e fundit.

“Do të analizoj deri atë ditë. Unë kam vendosur për të qenë i gatshëm për të marrë përgjegjësi”, ka thënë shkurt Sejdiu.

Sidoqoftë, ish-presidenti Sejdiu nuk ka pranuar të jap detaje lidhur me diskutimet në takim, ani pse nga mediat është raportuar se në LDK po diskutohet një konsensus i mundshëm, për shkak se asnjë nga kandidatët nuk e ka numrin e mjaftueshëm të delegatëve.

Nevoja për ndonjë marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e kryetarit ka ardhur pasi Statuti i partisë kërkon përkrahjen e gjysmës së delegatëve që një kandidat të ketë të drejtë garimi. Deri tani, asnjë nga kandidatët nuk e ka përkrahjen e 177 delegatëve.

Deri tani si kandidat të mundshëm po llogaritet kryetari aktual Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Haki Rugova, Gazmend Muhaxhiri, Vjosa Osmani dhe Fatmir Sejdiu.

Ndryshe, LDK-ja do të mbajë Kuvendin Zgjedhor më 3 gusht, ku 354 delegatët nga të gjitha degët e partisë do të zgjedhin kryetarin dhe kryesinë.

Reklama