Express: Sot nisin masat amerikane mbi Kosovën

Qeveria e Kosovës sot mund të përballet me shijen konkrete të një reagimi amerikan, për shkak të qëndrimit për tarifën ndaj mallrave serbe.

Gazeta Express merr vesh nga burime të sigurta se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të nisin nga sot të marrin masa për shkak të mosheqjes së menjëhershme të tarifës ndaj produkteve serbe, ashtu siç po kërkojnë vazhdimisht zyrtarët më të lartë amerikanë nga Kryeministri Albin Kurti.

Nuk dihet çfarë masash konkretisht do të ndërmarrin amerikanët, megjithatë janë përmendur masa ekonomike.

Express ditë më parë ka raportuar se një nga “ndëshkimet” mund të jetë suspendimi i investimeve nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, që për vite me radhë në Kosovë investon miliona euro.

Mbrëmë në Twiterr, Richard Grenell, emisar special i presidentit amerikan, Donald Trump, dematoi Zyrën e Kryeministrit në lidhje me një bisedë që Albin Kurti e ka zhvilluar gjatë kësaj jave me të dhe me këshilltarin e Trumpit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Grenell tha se i kanë thënë Kurtit në telefon se SHBA’ja nuk do të vazhdojë asistencën e saj, kur lidershipi i Kosovës po e dëmton atë.

”Kjo nuk është e vërtetë. Ne ia kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA-ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka shkruar Grenell dje në Tëitter.

Ndërkaq një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit i ka thënë Gazetës Express se Grenell e O’Brien as nuk i kanë thënë SHBA’ja po shqyrton prezencën ushtarake në Kosovë e as që do të ndërmarrë ndonjë masë ekonmike.

Përkundrazi, ZKM ka deklaruar se SHBA’ja është e vendosur të rrisë zhvillimin ekonomik në rajon.

“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të kryeministrit Kurti me ambasadorin O’Brien dhe ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, thuhej në përgjigjen e ZKM’së, të cilën e kundërshtoi Grenell.