Eskalon përplasja në Kuvend, ofendime mes deputetëve deri në “turrje”

Grupi Parlamentar i PDK-së ka lëshuar sallën e Kuvendit, pas atij të LDK-së. Në Kuvend është parandaluar një përleshje fizike ndërmjet ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit dhe deputetëve të PDK-së, Ardian Kastrati dhe Memli Krasniqi.

Kastrati e ka quajtur “legen” ministrin Peci. Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa për pak sa nuk është përleshur fizikisht me deputetin e VV-së, Besim Muzaqi, krejt për shkak të Gjykatës Speciale.

Menjëherë kanë ndërhyre deputetët tjerë që të mos vazhdojë përplasja. Pas replikave të ashpra pozitë-opozitë, kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dha pauzë deri në ora 12:00.

Replika të ashpra erdhën pas deklaratës së ministres Donika Gërvalla dhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri lidhur me Gjykatën Speciale. Gërvalla tha se Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia, por është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë iu drejtua deputetëve të PDK-së “fajtor jeni ju”. Ndërkaq, Tahiri i ka reaguar ministres Gërvalla, duke shtuar se është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.

Më pas situata u tensionua edhe pas fjalimit të Arben Gashit, për çka LDK lëshoi seancën.

Tahiri, ka kërkuar gjithashtu që seancat të mos i udhëheq Saranda Bogujevci, pasi sipas tij po krijohet situatë e pakëndshme. Ai tha se për shkak të saj një pjesë e opozitës e lëshoi sallën, e prezentë nuk do të jenë as deputetet e PDK-së.

“Ju sot degjeneruat me udhëheqjen e kësaj seance, opozita e lëshoj seancën. Ti nuk je ai që na tregon neve çka me fole sepse e degjenerove seancë”. “Kërkojmë që kryesia të mblidhet dhe mundësisht ti mos mi mbajt seancat e radhës se po shkakton degjenerim, pra pakujdesia e padinjejia juaj e krijoi një situatë të pakëndshme, edhe ashtu po i vononi seancat”.

“Edhe ashtu kur po i thirrni po i degjeneroni ne do ta lëshojmë këtë seancë, kërkojmë të mblidhet kryesia e kuvendit dhe te përcaktohet vazhdimi i kësaj seance”, tha ai. Ndërsa, Bogujevci tha “25 minuta ju kam pritë në këtë seance dhe 15 minuta në seancën e kaluar kur ju keni thirr debat parlamentar”.

Reklama