Është e qartë: Haradinaj u hoq politikisht sepse Thaçi, Rama e Vuçiq duan ta copëtojnë Kosovën

Dy vjet qeverisje të Ramush Haradinajt përfunduan dje, pasi që ai paraqiti dorëheqjen për shkak të ftesës që Tribunali Special i Hagës i bëri atij për t’u paraqitur në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Editorial i RAHOPRESS

Në letrën e dorëheqjes, Haradinaj dha sinjalet e qarta se përse u ngatërruan punët kaq keq e kaq rëndë, jo vetëm për të, por edhe për Kosovën, ngase në kohën kur vendi gjendet në një kohë delikate politike, sidomos në raport me Serbinë, e cila kërkon ndarjen e Kosovës, ndodhi kjo që ndodhi.

“Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit”, shkroi Haradinaj në letrën publike të dorëheqjes. E dimë të gjithë se Haradinaj ka dëshmuar pastërtinë e tij ligjore në të paktën dy gjykata ndërkombëtare, atë të Hagës, dhe këtë të fundit në Colmar të Francës, arsye të forta që na bindën se Kryeministri tashmë kishte kryer punë me këto gjykata që përndjekin shqiptarë për agresionin e Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, bindja jonë është që kjo ftesë ka të bëjë shumë me kontekstin politik ku gjendet Kosova aktualisht. Me një taksë ndaj Serbisë, e cila kërkon ndarjen e Kosovës dhe fillimin e dialogut pa kushte dhe me hartën e Kosovës mbi tavolinë, ku kundërshtues i vetëm nga pushteti ishte Kryeministri Haradinaj, s’do shumë mend se edhe lëvizja e gjykatës mund të jetë krejtësisht politike.

Në anën tjetër, ditëve të fundit, Haradinaj përkeqësoi raportet edhe me partnerin e koalicionit, PDK-në. Kadri Veseli, nga SHBA-ja, akuzoi Haradinajn për qasje anti-amerikane për arsye se e kundërshton ndarjen e Kosovës. Veseli, dalëngadalë u dorëzua para shefit të vërtetë të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe tashmë ka filluar t’ia respektojë agjendën me përpikëri; edhe atë të ndarjes së Kosovës, që dikur e quante projekt serb e rus.

Duket se Haradinaj gjendej para një presioni të madh për të tradhtuar besimet e vendimet e tij dhe pas gjithçkaje, ftesa e Tribunalit që doli në fund, nuk i la derë tjetër që me dinjitet të udhëheq e mbrojë integritetin shteteror e territorial të Kosovës.

Kuptohet që dorëheqja e Haradinajt është edhe taktike, por ç’ka të keqe të taktizosh në politikë, sidomos kur qëllimet përfundimtare janë të mira e të favorshme për shtetin. Pra më shumë duket si dorëheqje taktike që Posti i Kryeministrit të Kosovës të mbetet i pashantazhueshëm. Pak-a-shumë i bjen kështu: ti nis procese gjyqësore ndaj meje si Kryeministër që të më shantazhosh për ndarjen e Kosovës, por unë dorëhiqem dhe tani je duke e shantazhuar vetëm një qytetar të lirë të Republikës së Kosovës, i cili pafajësinë e tij e ka dëshmuar edhe në procese të tjera, kur është thirrur për shkak të këmbënguljes institucionale, ngjashëm si këtë herë.

Haradinaj, veç tjerash në paraqitjen që e pati në konferencë për të kumtuar dorëheqjen, u pa si kurrë më parë edhe në një gjendje të rëndë emocionale, gjë që dëshmon momentin e rëndë ku ai ndodhej.

Pati shumë reagime, disa pa qëllime të veçanta, e shumica me agjendë politike ku shërbejnë, të cilët u rrëmbyen që dorëheqjen e Haradinajt ta quajnë strategji politike për të mbledhur vota në zgjedhjet e ardhshme. Njerëz të televizioneve, që s’mund të thonë dot se PDK duhet të dalë në opozitë dhe u ndërlikohet procesi i frymëmarrjes kur flitet për këtë temë, sulmonin në mënyrat më ulëta Haradinajn. Satelitët partiakë, janë pikërisht ata që dëshmojnë të parët se sa keq i ka punët PDK-ja, të cilës ideja e të qenit në opozitë i është shndërruar në frikën më të madhe ndonjëherë.

Reagimi i Presidentit të Kosovës, në anën tjetër, ishte indikator i mjaftueshëm për të kuptuar për qasjen e tij ndaj Haradinajt, i cili ishte kundërshtari më i madh i planeve të tij, Edi Ramës e Aleksandër Vuçiqit për copëtimin e Kosovës. Ai mezi e përmendi Haradinajn, duke shprehur keqardhje fillimisht për ish-këshilltarin e tij, Besim Zyrapi, i cili po ashtu ka marrë ftesë nga Specialja.

Në fund të fundit, në krejt këtë kontekst, më i rëndësishëm se fati personal e politik i Haradinajt, është fati i Kosovës. Me këtë veprim Haradinaj i ka dhënë një mundësi të re qytetarëve të Kosovës, që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë mes dy opsione politike, mes atyre që duan ta mbrojnë Kosovën nga ndarja, dhe atyre që përveç shumë krimeve të tjera, krejt në fund edhe duan ta copëtojnë shtetin e tyre.

Reklama