Embrioni amerikan synon rritjen e prodhimtarisë së qumështit në Kosovë

Projekti i parë në Ballkan për ndryshimin gjenetik të lopëve do të realizohet në Kosovë. Embrione të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, synohet të përdoren për rritjen e prodhimit të qumështit nga lopët dhe shtimin e kualitetit.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Behlul Behluli, ka rrëfyer në Emisionin SOT se këto bartja e embrioneve apo farave ka për qëllim që lopët në Kosovë, të rriten në mënyrë të njëjtë si në SHBA, dhe prodhimtaria të jetë më e lartë.

“Kemi filluar të punojmë, deri më tani kemi bërë disa punime, kryesore është bartja e farave apo embrioneve. Këto embrione kemi dashur t’i shpërndajmë në ato ferma që menaxhohen më së miri, për arsye se këto kafshë që do të lindin nga këto embrione, kërkesat e jetesës do t’i kenë më ndryshe se lopët e zakonshme. Qëllimi ynë është që ta rrisim edhe prodhimin edhe kualitetin, t’i sigurojmë popullit të Kosovës këtë kualitet”, ka thënë Behluli.

Profesori universitar ka thënë se embrionet nuk do të ndryshojnë gjenetikën e përmbajtjes kimike. Një projekt i tillë është i përkrahur nga Ministria e Bujqësisë.

“Ky ka qenë projekti i parë përmes Ministrisë së Bujqësisë, nga Fakulteti i Bujqësisë, nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës. Ka qenë një bashkëpunim mes këtyre për këtë zhvillim. Kosova është larg plotësimit të kërkesave me qumësht, qëllimi është që këto embrione të përdoren të ardhmen si kafshë vendore. Kafshët me embrione që do të lindin këto, do të rriten në Kosovë, dhe do të adaptohen shumë lehtë këtu”, ka shtuar tutje.

“Qëllimi ka qenë që vetëm në ato zona ku fermerët janë më të mirë, kemi shkuar dhe i kemi përzgjedhur. Këto embrione që kanë ardhur nga Amerika, janë gjenetike 100 për qind të pastra nga lopët e Amerikës. Janë vjelë nga lopët më të mira, nga trakti riprodhues i tyre, në 6-7 ditët e para të lindje.”

Behluli ka theksuar se me këtë projekt nuk është qëllimi i ndryshimit të racës autoktone, vetëm “freskimi i gjenetikës”.

“Përmirësimi i gjenetikës së lopëve. Në Amerikë për momentin është lopa rekordmene, që ka krijuar 103 litra qumësht në ditë, i njëjtë plotësisht me një lopë që i jep 10 litra.”

 

Reklama