Ekskluzive, kjo është arsyeja pse ndeshjet ndërkombëtare nga Rahoveci u zhvendosën në Mitrovicë

Federata e Basketbollit tē Kosovës, si organizatore e vetme dhe ekskluzive e ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, ka vendosur në momentet e fundit që të ndryshojë lokacionin e miqësoreve ndaj Anglisë dhe Luksemburgut.

Fillimisht, këto ndeshje ishin paraparë të zhvillohen në Rahovec, ndërsa tani, sipas vendimit të fundit të Federatës, ato do të zhvillohen në Mitrovicë.

RahoPress nga një burim i mirëinformuar pranë Federatës, ka mësuar ekskluzivisht se arsyeja e këtij vendimi është eksesi i ndodhur në ndeshjen e fundit finale të playoffit mes Rahovecit e Prishtinës, ku pas tensionimit të situatës, tifozë që ishin prezentë në arenën “Mizaher Isma” filluan hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës dhe ofenduan rëndë Federatën. Madje, një tifoz pati hyrë në fushë të lojës, ku tentoi që të sulmojë basketbollistët e Prishtinës.

Deri sonte, Federata nuk ka dhënë ndonjë arsye zyrtare për këtë vendim, por portali mëson se vendimi do të bëhet i ditur në formë komunikate për mediat dhe qytetarët shumë shpejt.

Përfundimisht, Rahoveci e ka humbur një mundësi të mirë për dinamizimin e atmosferës sportive, promovimin e qytetit, si dhe në fund rastin për bashkëorganizim të ndeshjeve ndërkombëtare.

Reklama