Editorial: Kosova – vendi që i bën me famë mbrojtësit dhe jo ndjekësit e krimit

Editorial nga RahoPress

Katër-pesë sekonda të shtatorit 2018 morën vëmendjen e shoqërisë tonë gjatë gjithë kësaj jave. Brenda atyre sekondave, e shohim një 18 vjeçar derisa e qëllon për vdekje një 29 vjeçar me një pistoletë. Ky 18 vjeçar qëlloi të ishte djali i shefit të kompanisë, e 29 vjeçari qëlloi të ishte punëtori i po kësaj kompanie. Dhe mu në këto role pushteti qëndrojnë themelet e kurreshtjes kolektive për rastin.

Meqë e gjithë ngjarja ishte një aksident (sipas avokatit mbrojtës Besnik Berisha), është e çuditshme se si nuk qëllon asnjëherë që shefi të qëllohet nga punëtori?! Natyrisht, punëtori nuk ka as mjetet që prodhojnë aksidencën. Dhe ‘natyrisht’, që aksidenca, fati, rastësia, janë ‘ontologjikisht’ në anën e nënshtruesit, e jo në anën e të nënshtruarit.

Për çudi, pozicionet e pushtetit as që përmenden në proces gjyqësor. Sidoqoftë, janë pikërisht këto pozicione që grishin kurreshtjen dhe reagimin shoqëror.

Pushteti jo vetëm që ka mjetet për të prodhuar ‘aksidencë’, por ka edhe mjetet për të mbuluar joaksidencën, qëllimin. Ka edhe mjetet për të marrë si mbrojtës një figurë të njohur publike si Besnik Berisha. Ka edhe mjetet për të paguar fjalët. Por edhe heshtjen nëse i nevojitet.

Sidoqoftë, të ndalemi pikërisht te avokati Berisha. Përveç Berishës ne e njohim edhe Tomë Gashin. E e njohim edhe Arianit Kocin. Të gjithë këta janë avokatë mbrojtës me profesion. Por, shumë pak prej nesh njohim emrin e ndonjë prokurori përveç Elez Blakajt që tashmë u detyrua të ikte nga vendi. Dhe që u bë i njohur përmes asaj ikjeje. Asnjë prokuror nuk ka pasur hapësirë mediale as të përafërt me treshen e lartpërmendur me të cilën ndeshet nëpër gjykata. Ose, ta riformulojmë: asnjë prokuror nuk ka dashur të ketë hapësirë mediale as të përafërt me treshen e lartpërmendur.

Pra, e njohim Berishën, Gashin e Kocin që mbrojnë të akuzuarit për krime por nuk njohim askënd që i ndjek ato krime. Nuk njohim kundërshtarët e treshes në profesion. Në fakt, e njohim vetëm atë që supozohet të jetë në krye të asaj ndjekjeje, Aleksandër Lumezin – kryeprokurorin e Shtetit.

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, e përmendte nevojën që prokurorët të ekspozoheshin medialisht. Ai sillte shembullin e prokurorëve të famshëm italianë, Giovanni Falcones e Paolo Borsellinos – që në vitet ’70 e ’80 kishin ndjekur mafian siciliane. Por megjithatë, prokurorët tanë vazhdojnë të rrinë rehatshëm në hije.

Derisa në njërën anë kemi ndjekje jopasionante të krimit – një ndjekje që ndoshta meriton të shkruhet në thonjëza – në anën tjetër kemi mbrojtjen pasionante të krimit. Dhe, Gashi me Kocin e Berishën nuk janë vetëm avokatë mbrojtës. Që të tre janë të pranishëm në skenën politike si opinonistë. Të paktën dy prej tyre kanë mbajtur edhe funksione politike si këshilltarë kryeministrash. E të paktën njëri prej tyre ka edhe medium të vetin. Pra, këta janë njerëz të pushtetshëm. Njerëz me shumë lidhje. Dhe, si të tillë, shumë të zhdërvjelltë në profesionin për të cilin po flasim.

Por, ta marrim të mirëqenë atë që thotë mbrojtja për vrasjen në Deçan. Ajo u bë nga pakujdesia. 18 vjeçari thjesht e nxori një pistoletë – duke menduar se ishte me gaz – dhe qëlloi kah punëtorët, pa ndonjë nervozë a ndonjë shkak tjetër, dhe pa dashur që ta vriste ndonjërin.

Më e pakta që mund të kuptohet nga rasti është mungesa e konsideratës minimale që ka një 18 vjeçar për punëtorët e kompanisë së tij – të gjithë më të moshuar se ai. Pra, ai gjuan me armë brenda lokalit të tij në praninë e punëtorëve, nuk e qëllon asnjërin, nuk vdes askush por megjithatë ia fut ethet në bark secilit. Është pikërisht kjo egërsi e veprimit që irriton, dhe jo thjesht pasoja e atij veprimi.

Do të ishte më e kollajshme që të pranohej kjo vrasje nëse paraprakisht do të kishte ndonjë grindje, apo nëse vrasësi i ri do të ishte i pezmatuar me ndonjë gjë. Ajo që e bën irrituese gjithë skenën është lehtësia e padurueshme me të cilën vepron – e që për ironi po përdoret nga mbrojtja. Edhe nëse motivi i tij nuk ishte vrasja e punëtorit, ajo që irriton është shpejtësia me të cilën ai merr pistoletën dhe gjuan brenda hapësirës së mbyllur kur ndodhet. Ajo që irriton është saktësisht egërsia e tij prej shefi.

Ai mund të mos ketë përfituar asgjë nga vrasja e punëtorit. E megjithatë, qëllimi të ketë ekzistuar brenda atyre sekondave në të cilat e shohim derisa bën çehre nervoze e më pas gjuan. Ai mund të mos ketë pasur një motiv të elaboruar, por një motiv që shtrihet vetëm brenda atyre sekondave dhe që nxitet nga dëshira për shprehje të egërsisë e të autoritetit. Pra, motivi edhe në mos qoftë konkret, në abstraksionin e tij është vazhdimi i raportit dominues të pronarit me punëtorin.

Drejtësisë sërish i duket afërsia e ngushtë me ekonominë. Një ekonomi që toleron raporte të zhdrejta mes njerëzve. Një ekonomi vulgare e përfshirë në krime të ndryshme, dhe që në vend se t’ju japë pushtet ndjekësve të krimit, ju jep mbrojtësve të tij.

Ky është një tregim tjetër tragjik i pabarazisë. Dhe i raporteve ndër-njerëzore që rrjedhin prej saj. Natyrisht, aksidente të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen. Dhe gjithnjë, viktima të këtyre aksidenteve do të jenë punëtorët. Por, shumicën dërrmuese të këtyre rasteve as që do t’i dimë.

Reklama