Edi Rama: Më mungon shumë shqiptari i madh – Hashim Thaçi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ceremoninë e hapjes së Aeroportit të Kukësit ka kujtuar Hashim Thaçin.

Rama tha se Thaçi dhe Ibrahim Rugova përbëjnë historinë e Aeroporit të Kukësit.

Rama e ka quajtur Thaçin “shqiptar i madh”, duke shtuar se këtë epitet ia jep për shkak se është njëri ndër ta e jo pse është vëllai i tij (shqiptar).

“Me këtë rast dua të ndaj me ju që më mungon shumë sot dikush që e konsideroj njërin prej shqiptarëve të mëdhenj. E konsideroj ashtu jo sepse është vëllai im por se është njëri prej shqiptarëve më të mëdhenj, Hashim Thaçi, Nuk e di a mund të më ndjek sot, por do të doja t’i çoja një përqafim dhe t’i thosha se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i jashtëzakonshëm i historisë së shqiptarëve kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova të ulur së bashku i hapën rrugë procesit pakthim të çlirimit të Kosovës”, ka deklaruar Rama sot kur është hapur edhe Aeroporti i Kukësit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me proces gjyqësor në Gjykatën Speciale pas ngritjes së aktakuzës kundër tij për krime lufte.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e veriut” ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e saj të vrojtimit, ndërsa në pjesën e vendqëndrimit të avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit.

Avioni i parë në aeroportin më të ri në Shqipëri është “Zayed-Flatrat e Veriut”.

Reklama