Edhe sot mot me shi, nga nesër pritet kthimi i diellit dhe ngritja e temperaturave

Sot në tërë rajonin do të kemi mot mjaft jostabil, me intervale të shkurtra kohore me diell dhe gjatë ditës apo pasdite me zhvillim të fuqishëm të vranësirave të cilat do të na sjellin reshje shiu, vende-vende edhe rrebeshe lokale me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër.

Nesër në pjesën më të madhe të Shqipërisë pritet stabilizim i motit si pasojë e depërtimit të një mase të thatë ajrore anticiklonike. Pra më në fund do të ketë mot me diell dhe ngritje të temperaturave.

Edhe në Kosovë nesër priten ngritje të temperaturave, megjithatë pasdite ende mund të ketë gjasa që në disa rajone të ketë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, kurse në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi poashtu do të ketë tendenca të qarta të stabilizimit të motit dhe ngritjes së temperaturave.

Të premtën vjen moti të cilin me siguri e prisni me padurim shumica prej jush një kohë të gjatë. Do të kemi mot me shumë rreze diellore dhe temperatura verore në tërë rajonin. /Meteoballkan

Reklama