E fitoi shtetësinë në Francë, kosovarja e falënderon personalisht presidentin Macron

Viteve të fundit shumë të rinj janë larguar nga Kosova për në Gjermani, Zvicër, Francë e ndonjë shtet tjetër evropian, në kërkim të një jete më të mirë. Shumë prej tyre, kanë kaluar rrugë të vështira ilegale për të arritur në “tokën e premtuar”.

Një prej tyre është edhe Hanife Lahu nga Vushtrria, e cila para pak më shumë se tre vjetësh, pas shumë peripecive që kaloi rrugës, u lajmërua si azilante në Francë. Ajo nuk kishte arritur ta kishte një punë dinjitoze në Kosovë, ishte përballur me shumë sfida në shtetin e ri të Kosovës, dhe përkundër se ishte shumë e lidhur me vendin e saj, u detyrua të largohej që ta kishte një jetë më të dinjitetshme. Dhe këtë jetë e gjeti në Francë, ku për pak kohë e mësoi gjuhën frënge, filloi të punojë dhe tani ka fituar edhe lejeqëndrimi. Ajo sot kishte mundësinë që ta falënderojë personalisht presidentin e Francës, Emanuel Macron që vendi i tij i hapi dyert për të.

Macron ishte për vizitë në Troyes, një qytet i vogël rreth 170 kilometra nga Parisi. Ai u takua me banorët e këtij qyteti mbi 200 vjeçar dhe mes tyre ishte edhe Hanife Lahu. Gjuha që e ka përvetësuar shumë shpejt i ndihmoi asaj që të bisedojë drejtpërdrejt me presidentin.

Në një video të siguruar nga Albinfo.ch, Hanifja shihet teksa komunikon me presidentin Macron të cilin e falënderon që vendi i tij ia ndryshoi jetën.

“Zoti president, dua ta falënderoj Francën si shtet dhe juve si president. Unë jam në Francë tash e tri vjet, nga viti 2018. Franca ma ka shpëtuar jetën, andaj iu jam gjithmonë mirënjohëse”, i thotë Lahu presidentit Macron.

Tutje presidenti francez e pyet se nga vjen dhe ajo i tregon se vjen nga Kosova, një vend ku vite më parë kishte luftë.

“Jam shumë e emociomuar se ju jeni njeri i madhe për mua, edhe Franca ësht e madhe. Franca ma ka shpëtuar jetën. Tash jam e qetë dhe sigurt në Francë. Faleminderit Francës, faleminderit juve”, thotë tutje kosovarja.

Ndërsa edhe presidenti Macron interesohet për të dhe familjen e saj, për punën dhe integrimin në Francë, teksa Hanifja i tregon se punon në fabrikën e çokolatës dhe është integruar mjaft mirë në Francë.

Hanifja tha se ishte shumë e emocionuar që u takua me presidentin Macron. “Isha e emocionuar, por unë doja patjetër që ta takoja. Doja ta falënderoja nga zemra që ma hapi derën dhe ma mundësoi ta kem një jetë dinjitoze. Një jetë që në Kosovë nuk e kisha dhe nuk e di a do të mund ta kisha ndonjëherë”, tha ajo për Albinfo.ch.

Hanife Lahu tash po ndërton jetën e saj të re në Francë, por thotë se dëshira e saj është që ta shoh Kosovën të zhvillohet dhe të bëhet një vend ku, nëse nuk arriti ta jetonte rininë e saj, të mundet të paktën ta jetojë me dinjitet pleqërinë pas pensionimit në Francë.

 

Reklama