Dy themeluesit e degës së VV-së në Rahovec kalojnë në AAK, Latifi: Në Aleancë punohet për interesin e përgjithshëm

Kalimin e asambleistes Shqipe Kryeziu nga VV në AAK, e ka konfirmuar edhe kryetari i partisë për Rahovecin Smajl Latifi. Përveç Kryeziut, në AAK ka kaluar edhe anëtari tjetër dhe bashkëthemeluesi i VV-së në Rahovec, Azbi Gashi.

Latifi është zotuar se dy anëtarët e rinj do ta kenë përkrahjen e tij gjatë angazhimeve që do t’i kenë në të ardhmen.

Latifi ka shkruar:

Jam mëse i lumtur t’ju njoftoj, se nga sot pjesë e AAK-së në Rahovec do të jenë edhe znj. Shqipe Kryeziu, magjistër e Fizikës dhe profesoreshë në SHML “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe dhe ekonomisti e profesori në SHMLP “Selajdin Mullaabazi” në Rahovec, z. Azbi Gashi, të cilët aktivitetin e tyre politik të deritanishëm e kanë bërë në LVV, si themelues të degës në Rahovec. Zonja Shqipe Kryeziu do të jetë edhe pjesë e grupit të asambleistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit.

Përvojat politike dhe profesionale të Kryeziut dhe Gashit do ta kenë hapësirën e merituar për t’i kontribuuar përmirësimit të mirëqenies në komunën tonë. AAK është parti e hapur për të gjithë që duan të punojnë mirë dhe mbarë. Interesi kolektiv prevalon mbi interesat individuale, prandaj ne po rritemi dhe gjithnjë e më shumë njerëz po i bashkohen konceptit tonë.

Dy anëtarëve të rinj, u dëshiroj shumë suksese dhe ua ofroj tërë përkrahjen time gjatë angazhimeve që do t’i kenë në të ardhmen. SL

Reklama