Dy super-skandalet që shpërthyen në Ministritë e LDK-së

21 tetori i vitit 2020 dhe 24 shkurti i 2021 do të mbahen gjatë në mend nga LDK-ja, pasi në këto dy data shpërthyen dy prej rasteve korruptive më të mëdha në Kosovën e pasluftës.

Të dy skandalet ndodhën në kohën e qeverisë së Avdullah Hotit. Skandali i parë ndodhi në Ministrinë e Financave të udhëhequr atë kohë nga Hykmete Bajrami e LDK-së, kurse skandali i dytë sot në Ministrinë e Bujqësisë që drejtohet nga po një u.d. ministër i LDK-së, Besian Mustafa.

Skandali 2.1 milionësh në ministrinë e drejtuar nga Hykmete Bajrami

Në pasditen e 21 tetorit të vitit 2020 shpërtheu superskandali i vjedhjes në Thesar të Shtetit.

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e 2,077,995 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në adresë kompanisë, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik.

Atë kohë, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Ajo e ka cilësuar këtë rast si “të izoluar”. Bajrami në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se rastin në organet e rendit ka denoncuar Ministria e Financave.

Po sot kur shpërtheu skandali në Ministrinë e Bujqësisë, Hykmete Bajrami, njoftoi se dha dorëheqje nga pozita e u.d. minsitres së Financave, por ajo nuk e tha asnjë fjalë për skandalin e vjedhjes së 2 milionë eurove, shkruan Reporteri.net.

Skandali në Ministrinë e Bujqësisë të udhëhequr nga Besian Mustafa

LDK-së i shpërtheu skandal edhe në fillim të këtij viti. Sot në Ministrinë e Bujqësisë, u arrestuan 12 persona, 10 prej tyre zyrtarë të shtetit.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në një konferencë për media tha se janë sekuestruar rreth 400 mijë euro.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuha.

Luan Statovci që mbanë pozitën e zyrtarit për pagesa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) është një tjetër zyrtar që u arreestua sot. Të njëjtit momentalisht janë duke ju bastisur pronat në Batllavë nga Policia e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Kjo është hera e dytë që Statovci përfundon nën pranga të policisë.
Për skandalin, foli ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, i cili tha se në fillim të mandatit ka suspenduar sekretarin e përgjithshëm të ministrisë, kreyshefin e agjencisë dhe 5 zyrtarë të tjerë.

Mustafa ka thënë se kanë qenë në koordinim të vazhdueshëm me organet e rendit dhe se pret që këto organe ta çojnë rastin deri në fund.

Reklama