Duraku, takim me fermerët rahovecas: Do të sjellim lajme të mira nga Kuvendi i Kosovës

Kandidati për deputet në listën e AAK-së, Berat Duraku, ka mbajtur një takim me fermerë nga komuna e Rahovecit, ku para tyre ka paraqitur punët që ka kryer në cilësinë e drejtorit të Bujqësisë, si dhe planet që ka ai për bujqësinë rahovecase si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Sot takova dhjetëra fermerë të komunës së Rahovecit, me të cilët biseduam për mundësitë që bujqësisë t’ia hapim horizontet e reja të zhvillimit. Fermerët e bujqit janë punëtorët më të vyeshëm e më të respektuar në Rahovec. Komuna jonë, si pak komuna të tjera në Kosovë, bazën ekonomike e ka të ndërtuar mbi bujqësinë, prandaj këtij sektori i japim vendin e nevojshëm dhe të merituar”, ka shkruar ai.

Duraku ka renditur disa projekte përpara që ai i ka shtyrë përpara. Sipas tij, ato janë:

– Kompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore për vitet 2018, 2019, 2020

– Rritja e buxhetit në 1 milion euro për bujqësi

– Hapja e dy zyrave ku aplikohet për subvencione, në Ratkoc e Krushë të Madhe

– Grantet, hapja e zyrës për konsulencë në hartimin e projekteve

– Serrat, rritja e sipërfaqeve deri në 10 ari

– Shpërndarja e mekanizmit bujqësor

– Ngritja e stallave të vogla për fermerë

– Shpërndarja e laktofrizëve 300 litra dhe 500 litra për blegtorë

– Dhoma ftohëse për ruajtje të perimeve

– Vaksinimi i bagëtive

Si dhe:

– Hapja e rrugëve fushore

– Hapja e kanaleve të kullimit

Kandidati Duraku ka thënë se do të angazhohet dhe se ka plane ambicioze për bujqësinë në Rahovec. Ai ka thënë se, bashkë me kolegët e tij, do të sjellin lajme të mira nga Kuvendi i Kosovës.

“Me dijen dhe kapacitetin tim politik, do të angazhohem që bujqit e komunës sonë të kenë kushte edhe më të mira se sot. Synimet e mia për bujqësinë rahovecase janë ambicioze. Bashkë me kolegët e Aleancës, do të bëjmë gjithçka, që nga Kuvendi i Kosovës të sjellim lajme të mira për bujqit e fermerët tanë të vyeshëm”, ka shkruar ai.

 

Reklama