Duraku publikon shkresat që ia dërgoi Pecit, e quan publikisht gënjeshtar

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahvovecit, Berat Duraku, ka reaguar pas një deklarate të ministrit të Bujqësisë Faton Peci, i cili ishte në Rahovec për të bërë fushatë.

Peci kishte thënë se Komuna e Rahovecit ka refuzuar të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë, por sipas Durakut është e kundërta ajo që ka ndodhur.

Madje, ai e ka quajtur gënjeshtar publik ministrin Peci, duke publikuar dhjetëra shkresa që ia ka nisur në cilësinë e drejtorit, të cilave nuk u ka dhënë asnjë përgjigje ministri.

Duraku ka shkruar:

Ministrit të Bujqësisë Faton Peci, i paska rënë në mend në kohë fushate se ekziston edhe Rahoveci dhe bujqit rahovecas. Si rrallëherë ai dje paska vizituar komunën tonë, por paska lëshuar një gënjeshtër publike, duke thënë që Komuna e Rahovecit e ka refuzuar komunikimin me Ministrinë e Bujqësisë.

Ministri e paska akuzuar komunën për një gjë që e ka bërë vet ai. Që prej marrjes së mandatit të tij, në kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec, i jemi drejtuar me dhjetëra shkresa zyrtare duke i ofruar bashkëpunim në të mirë të bujqësisë dhe bujqve rahovecas.

ASNJË përgjigje nuk është kthyer në asnjërën prej shkresave tona. Rahoveci është injoruar totalisht nga ky ministër, përkundër impaktit të madh që e ka në bujqësi në nivelin nacional. Ministri Peci nuk e ka vizituar Rahovecin zyrtarisht që nga marrja e detyrës dhe as që është marrë me hallet e fermerëve që u krijuan për çështjen e subvencioneve me ardhjen e tij në këtë detyrë.

Ndjeva përgjegjësi ta demantoj gënjeshtrën publike të ministrit që ka ardhur të mbledhë vota të bujqve e qytetarëve që i injoroi ftohtësisht që nga instalimi i tij në pushtet.

Reklama