Duraku: Pozitën e deputetit e shoh si mundësi që t’i shërbej Rahovecit

Kandidati i AAK-së për deputet nga Rahoveci, Berat Duraku, ka thënë se garës për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës i ka hyrë që t’i shërbejë Rahovecit edhe nga institucionet qendrore.

Duraku, nëpërnjet një postimi në Facebook, ka folur fillimisht për angazhimin e tij në Komunën e Rahovecit, ku udhëheq Drejtorinë e Bujqësisë.

Ai ka thënë se Komuna e Rahovecit ka arritur shumë suksese.

“Të dashur qytetarë të Rahovecit, miq e bashkëpunëtorë, si drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, bashkë me kryetarin Smajl Latifi, drejtorët e shërbyesit tjerë në Komunë, jemi vënë në shërbim të interesave të komunës sonë e qytetarëve tanë që prejse morëm besimin në zgjedhjet komunale të vitit 2017. Vizioni ynë dhe premtimet tona janë bërë projekte e punë të përfunduara dhe sot Rahoveci është larg më mirë se para atij viti. Puna dhe angazhimi i komunës sonë është njohur dhe vlerësuar nga organizata institucionale dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto vlerësime pohojnë se qeverisja e jonë komunale i ka përmbushur premtimet dhe i ka tejkaluar ato, se qeverisja jonë është transparente dhe hapur për qytetarët, se qeverisja jonë është për Rahovecin dhe jo për një krahinë a parti politike. Ky ishte dhe është orientimi ynë, që Rahoveci të jetë i zhvilluar dhe rahovecasit të jenë të barabartë”, ka thënë ai.

Duraku ka thënë se pozitën e deputetit në Kuvendin e Kosovës nuk e sheh si privilegj, por si përgjegjësi.

“Sot kur gjendemi më pak se një muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, unë, me përkrahjen e Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Rahovec, kolegëve, miqve dhe kryetarit Smajl Latifi, kam vendosur që të kandidoj për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.  Më duhet të them që pozita e deputetit për mua do të thotë më shumë përgjegjësi se privilegj, më shumë punë se rehati, më shumë mundësi për bashkëqytetarët e mi dhe vendlindjen time se për veten.  Me një ose më shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës, Rahovecit do t’i hapeshin mundësi të reja që problemeve të natyrave të ndryshme, që shkojnë përtej mundësive të qeverisjes komunale, t’u jepet zgjidhje në institucionet qendrore, që bujqve e fermerëve tanë t’u hapet një kanal i drejtpërdrejtë ku ata shtrojnë kërkesat dhe propozimet e tyre te institucionet qendrore, që qytetarët tanë të përfaqësohen edhe në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Në fund, Duraku ka thënë se i beson vizionit të AAK-së. Ai ka kërkuar votë edhe për Ramush Haradinajn, i cili kandidon për president.

Po ashtu, ai ka thënë se ditëve në vijim do të shpalosë më shumë nga platforma e tij konkurruese.

“Unë i besoj vizionit të Aleancës, i besoj kryetarit Ramush Haradinaj, i cili në këto zgjedhje kërkon votën dhe besimin tuaj për pozitën e presidentit.  Kryetari Haradinaj e meriton besimin tuaj, sepse do t’i shërbejë shtetit e kombit tonë ashtu si e ka dëshmuar, sikurse që kandidatët e AAK-së nga Rahoveci për deputetë e meritojnë mbështetjen tuaj, sepse do t’i shërbejmë  interesave të komunës e shtetit tonë pa hamendje, sikur i kemi shërbyer deri tani në Komunë.  Duke ju falënderuar për mbështetjen e madhe, ju njoftoj se ditëve të ardhshme do të njiheni më mirë me platformën tonë konkurruese në këto zgjedhje”, shkruan ai.

 

 

 

Reklama