Duraku: Përpjekjet e mia dhe të Latifit për subvencione nuk u ndalën kurrë, nuk i trajtoi Ministria

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku, ka shkruar për pagesat direkte – subvencionet e vitit 2021 dhe vështirësitë që i kanë fermerët për t’i marrë ato.

Ai a thënë se pandemia që nga viti 2020 e këtej ka shkaktuar probleme të mëdha në dhënien e subvencioneve. Ai ka thënë se bashkë me Kryetarin Smajl Latifi kanë bërë përpjekje të shumta dhe si rezultat më në fund është hapur thirrja për aplikim për pagesa direkte.

Ai ka thënë se kërkesat nuk janë kuptuar asnjëherë nga Ministria e Bujqësisë:

Duraku shkruan:

Pagesat Direkte – Subvencione 2021

Ky vit, ashtu si viti 2020 janë ndër vitet më të vështira si pasojë e Pandemisë Covid-19, për të gjithë sektorët në nivel vendi, e sidomos në komunën e Rahovecit, si zonë bujqësore vështirësitë kanë qenë më të ndishme.

Në cilësinë e drejtorit të bujqësisë kam bërë kërkesë të vazhdueshme pranë MBPZHR që fermerët të përfshihen në pakon e rimëkëmbjes ekonomike si dhe të hapet sa më parë Thirrja për aplikim për Pagesa Direkte, por këto kërkesa asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga ana e Ministrit të Bujqësisë.

Pas shumë përpjekjeve tona e presionit të vazhdueshëm të kryetarit z. Smajl Latifi më në fund është hapur Thirrja për Pagesa Direkte edhe pse shumë vonë ku tashmë dihet që shumë kultura perimore kanë përfunduar.

Në momentin që kemi pranuar njoftimin nga MBPZHR për hapjen e thirrjes për aplikim, kam kërkuar nga kryetari Latifi që të zgjatet orari i punës për drejtoritë e ndërlidhura me këtë proces, kryetari pa asnjë hezitim ka nxjerr vendim dhe e ka aprovuar kërkesën që të punojmë me orar të zgjatur.

Poashtu jemi organizuar dhe i kemi vënë në funksion edhe zyrat për pranim të aplikacioneve në Ratkoc dhe Krushë të Madhe.

Gjatë aplikimit, fermerët kanë hasur në vështirësi të shumta si pasojë e udhëzimit administrativ, i cili është më ndryshe nga vitet e kaluara, e për të kryer procesin e aplikimit nevojitet një sërë dokumentash shtesë, të cilat janë barrë për fermerët dhe pamundësi për të kryer procesin e aplikimit, kur dihet se afati për aplikim është vetëm 21 ditë.

Një nga problemet e shfaqura është te kultura e grurit ku nga fermerët kërkohet dëshmi e dorëzimit të grurit nëpër pikat grumbulluese (mullinjtë e ndryshëm), ku kriter është sasia e dorëzuar mbi 6000 kg, e ata të cilët nuk e plotësojnë këtë kriter subvencionohen vetëm për sipërfaqe të mbjellura me grurë, por tani jo më 150€/ha, por 75€/ha.

Problem tjetër për fermer është me zonat kadastrale me kamostacion ku si pasojë e digjitalizimit të parcelave kemi mospërputhje të shumta në programin për digjitalizim, zonat e prekura janë fshatrat: Fortesë, Xërxë, Celinë ku së bashku kanë mbi 600 fermer të cilëve ju mohohet e drejta e aplikimit.

Pas këtyre problemeve të shfaqura, ne si drejtori kemi kërkuar menjëherë takim me zyrtarë të ministrisë si dhe zyrtarët e AZHB për sqarime shtesë se si të procedohet më tutje.

Deri më tani ende nuk kemi pranuar asnjë përgjigje dhe konfirmim për takim nga zyrtarë të AZHB e poashtu as nga Ministri z. Faton Peci.

Unë si drejtor i DBPZHR në Rahovec duke parë shqetësimet e bujqëve do të angazhohem plotësisht me të gjitha kapacitetet e mundshme që bujqëve të mos ju mohohet e drejta e aplikimit për Pagesa Direkte e poashtu i siguroj të gjithë fermerët se asnjë nga ta nuk do të mbetet pa aplikuar si dhe do ju qëndrojmë pranë për të gjitha vështirësitë që do i hasin gjatë këtij procesi të aplikimit ashtu siç kemi qenë bashkë vazhdimisht!

Reklama