Drejtoria e Urbanizmit hap procesin për legalizimin e shtëpive dhe objekteve të tjera pa leje

Është hapur mundësia për legalizimin e objekteve, nëpërmjet procesit të mundësuar nga Ministria e Ekononomisë dhe Ambientit, USAID dhe Drejtoria e Urbanzimit në Komunën e Rahovecit.

Legalizimi i shtëpive dhe objekteve të tjera, do të mund të bëhet deri më 4 shtator, 2021, sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Në njoftimin e Drejtorisë së Urbanzimit thuhet se legalizimi i shtëpive për një metër katror do të kushtojë një euro, ndërkaq për objektet e tjera legalizimi do të kushtojë dy euro për metër katrorë.

Njoftimi i plotë:

BËHU PRONAR I SHTËPISË TËNDE

Bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientet dhe me përkrahjen e USAID, kemi nisur procesin për legalizimin e shtëpive dhe objekteve, sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje. Me këtë nismë do të trajtohen të gjitha objektet që janë ndërtuar apo kanë nisur të ndërtohen deri më 5 shtator, 2018 kur ligji ka hyrë në fuqi.

Do të legalizohen shtëpitë e banimit, por edhe të gjitha objektet tjera që hyjnë në kategori të veçanta.

Për të aplikuar për legalizim të shtëpisë suaj çmimi është 1 euro për metër katror dhe ju duhet të sillni:

  1. Formularin e aplikimit
  2. Kopjen e planit/certifikatën e pronësisë apo shfrytëzimit të pronës
  3. Matjet/Incizimin e ndërtimit ekzistues pa leje
  4. Deklaratën e pronarit për sigurinë e objektit

Ndërsa, për legalizimin e objekteve që nuk janë shtëpi çmimi është 2 euro për metër katror dhe ju duhet të sillni:

  1. Formularin e aplikimit
  2. Dëshminë për pronësi (opsionale)
  3. Prezantimin grafik dhe përshkrimin e ndërtimit pa leje
  4. Raportin e stabilitetit të strukturës së ndërtimit
  5. Raportin e instalimit të ujit dhe kanalizimit
  6. Raportin e instalimit elektrik
  7. Raportin e instalimit makinerik
  8. Elaboratin për mbrojtje nga zjarri

Drejtoria Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Rahovec ju fton që ta shfrytëzoni mundësinë për legalizim të shtëpive dhe objekteve tuaja pa leje. Përfitimet janë të shumta sepse ndërtimi juaj do të regjistrohet në kadastër, do të mund të përdoret si hipotekë për kredi dhe nuk do të rrezikojë që të rrënohet.

Ne do të jemi aty që t’ju ndihmojmë në këtë proces në çdo paqartësi që mund ta keni.

Afati i fundit për aplikim është data 4 shtator, 2021.

Reklama