Drejtoria e Bujqësisë në terren për të evidentuar dëmet nga stuhia e mbrëmshme me breshër e shi

Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, sot ka dalë në terren për të evidentuar dëmet nga stuhia e mbrëmshme me breshër e shi, që e përfshiu Rahovecin dhe rrethinën.

Drejtori i kësaj drejtorie, Berat Duraku, bashkë me zyrtarë të tjerë, kanë parë se zona më e dëmtuar nga breshri është ajo e Hamovcit dhe një pjesë e fshatit Brestoc.

“Reshjet e mbrëmshme të shiut të shoqëruara me breshër, kanë përfshirë pothuajse gjithë Komunën e Rahovecit. Drejtori i DBPZHR-së së bashku me zyrtarët e kësaj drejtorie, që nga mëngjesi kanë dalur në teren për të parë nga afër dëmet të cilat janë shkaktuar si pasojë e këtyre reshjeve. Nga gjendja faktike që kemi parë në shumë fshatra dhe zona vreshtare në Komunën e Rahovecit, nga ataku i breshërit më së shumti është dëmtuar zona vreshtare në vendin e quajtur Hamovc duke përfshirë edhe një pjesë të fshatit Brestoc”, thuhet në njoftimin e drejtorisë.

“Shpresojmë që këso reshjet e fundit, që kanë kapluar gjithë Kosovën të mos përsëriten asnjëherë!”, thuhet në fund.