Dramë në Kuvendin e Rahovecit, as pas tri rundeve të votimit nuk zgjidhet kryesuesi

Sot Kuvendi i Komunës së Rahovecit është mbledhur në përpjekjen e dytë për ta zgjedhur kryesuesin e kuvendit me 29 asamblistë të pranishëm.

Mirëpo, deri tani, pas tre rundeve të votimit, Kuvendi mbetet ende pa kryesues, sepse në dy rundet e para as kandidati i AAK-së Afrim Dina, e as kandidati i opozitës Defrim Kafexhiu, nuk kanë marrë  votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Në rundin e parë Afrim Dina ka marrë 14 vota ndërsa Defrim Kafexhiu 15, kurse i njëjti rezultat është numëruar në kuti të votimit edhe në rundin e dytë.

Në rundin e tretë, kur kryesuesi do të zgjidhej me shumicë votash, rezultati ka dalë i barabartë. Dy kandidatët kanë marrë numër të njëjtë votash, nga 14 secili prej tyre.

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

Reklama