Dita e Dëshmorëve, Latifi: 12 maji i ’98-ës ishte i mbushur me krisma lirie

Sot është shënuar Dita e Dëshmorëve të Kombit në Komunën e Rahovecit.

Në shënimin e kësaj dite ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve.

Ai, duke përshëndetur familjet e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të lufitës, ka thënë se 12 maji i vitit 1998 ishte i mbushur me krisma lirie në rajonin e Anadrinisë.

Latifi ka thënë se pavarësisht represionit serb, dëshira për liri nuk shua asnjëherë.

Fjalimi i plotë;

Fjala ime në shënimin e Ditës së Dëshmorëve të Kombit për Komunën e Rahovecit:

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, struktura të pushtetit lokal, të nderuar qytetarë të komunës së Rahovecit, dita e sotme në kalendar mund të jetë ditë e zakonshme pune e angazhimi të njerëzve, por për historinë tonë nuk është e tillë. 12 maji i vitit 1998 ishte i mbushur me krisma lirie në rajonin e Anadrinisë. Natyrisht se para kësaj dite kishte pasur një aktivitet të dendur atdhetar të burrave e grave të kësaj ane. Veprimtaria legale e ilegale ishte kombinuar dhe përgatitjet për luftë të armatosur ishin në vlugun më të madh. Për t’ia prerë udhën lirisë, administrata okupuese serbe bëri atë që kishte bërë gjithmonë karshi shqiptarëve, – përdori makinerinë vrastare, policinë e ushtrinë me tërë potencialin që kishin. Mirëpo, kur ekziston vullneti dhe dëshira për liri, atëherë nuk ka forcë që ta ndalojë një popull të marshojë drejt lirisë.

Pavarësisht, dhunës e represionit, djegieve e shkatërrimeve masive, dëshira për liri nuk u vra dot. Dalja e UÇK-së dhe pozicionimi i çlirimtarëve në rripin gjeografik rrëzë bjeshkës së Zatriqit, kishte krijuar parakushte për veprimtari më aktive të pjesëtarëve të UÇK-së dhe të LKÇK-së që operonin në këtë rajon. Me këtë realitet nuk mund të pajtoheshin pushtuesit serb, prandaj mësynë zhbërjen e kësaj baze të UÇK-së, por hasën në rezistencë të organizuar dhe u zmbrapsën me turp. Hapësira nga Kramoviku e deri në Gradish u bë zonë e operimit të UÇK-së, por jo pa gjak. Në fushë të nderit ranë dëshmorët e parë të lirisë Milaim Krasniqi e Elmi Morina dhe u plagosën disa shokë, ndër të cilët Osman Zyberaj njeriu i celulës së parë të UÇK-së në këtë rajon dhe Lulzim Hoti nga Ratkoci, veprimtar ndër të parët në organizimin e LKÇK-së në Ratkoc.

Luli më pas do të vdesë nga plagët e marra dhe tashmë gëzon statusin e dëshmorit të kombit.

Lufta do të marrë përmasa më të gjera dhe shumë djem e vajza do të organizohen nën armë dhe rezistenca do të marrë karakter të luftës çlirimtare gjithëpërfshirëse. Betejat dhe përplasjet me armikun do të jenë të vazhdueshme dhe rëniet e dëshmorëve do të ndjekin njëra-tjetrën.

Pikërisht në datën e sotme të vitit 1999 do të bie në fushë të nderit edhe njëri ndër pishtarët e luftës çlirimtare në këto anë, Bedrush Avdi Gashi, i cili do ta shoqërojë të vëllanë Feimin në përjetësi. Bedrushi ishte nga ata që e kishte të qartë rrugëtimin e tij jetësor dhe se për liri nuk kishte kompromis. Organizimi i tij i hershëm në celulën e parë të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë do t’i japë impulse të reja luftës për liri dhe qëndroi stoikisht deri në ditën e rënies më 12 maj 1999. I ranguar lart në hierarkinë ushtarake të Zonës Operative “Pashtrik”, Bedrushi do të mbajë pozitën e zëvendës komandantit për logjistikë, detyrë që do ta kryejë me nder e përkushtim, deri në çastet e fundit të jetës.

Shembëlltyra e Bedrushit do të shërbejë edhe për shumë breza, si simbol i organizimit, rezistencës dhe paepshmërisë për çështjen e atdheut e të lirisë.

Të nderuar të pranishëm,
Veprimtaria dhe vetëmohimi i dëshmorëve tanë janë udhërrëfim për brezat, prandaj si të tillë duhet të bëjmë përpjekje për ruajtjen e kësaj trashëgimie kombëtare. Bëmat e dëshmorëve do të shërbejnë udhërrëfim për ne dhe angazhimet e përkushtimet tona ditore duhet të jenë në shërbim të idealit të tyre. Sakrificat e mëdha të dëshmorëve të kombit dhe rrugëtimi luftarak e jetësor i tyre, mirënjohja për nënat, motrat, vëllezërit baballarët dhe të gjithë qëndrestarët e kombit nga të gjitha trojet shqiptare, meritojnë përkulje dhe nderim të pafund. Falë këtyre sakrificave dhe vendosmërisë së dëshmorëve tanë, kemi arritur të çmohemi e vlerësohemi. Këtë pasuri kombëtare duhet ta ruajmë e kultivojmë, sepse këtë bëjnë të gjithë popujt e civilizuar.

Nderimi dhe lavdia ju takon dëshmorëve dhe të rënëve për liri, ndërsa të tjerëve ju takon puna e përkushtimi për jetësimin e idealit të tyre.

Lavdi dëshmorëve e martirëve të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” dhe të gjithë atyre që ranë në territorin e komunës së Rahovecit!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Reklama