Dita e Çlirimit të Rahovecit, Latifi: E gëzofshim Kosovën të lirë e të përparuar

Sot në komunën e Rahovecit është duke u shënuar 20-vjetori i çlirimit. Për nder të kësaj dite janë organizuar shumë aktivitete, ndërkaq Komuna ka marrë vendim që sot të jetë ditë pushimi për të gjithë punonjësit e Komunës së Rahovecit.

Kryetari Latifi, nëpërmjet një komunikimi publik në Facebook, ka uruar rahovecasit për këtë ditë.

“Rahoveci, Kosova dhe gjithë shqiptarët anekënd botës kremtojnë 20-vjetorin e çlirimit të vendit. Pas një periudhe të gjatë zie, vuajtjeje, mjerimi, poshtërimi dhe nëpërkëmbjeje, shqiptarët e Kosovës e panë dritën e lirisë. Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme dhe rezultoi me fitore. Krahas luftëtarëve të lirisë, kauzës tonë të drejtë e humane iu bashkuan edhe popujt e civilizuar dhe pas shumë përpjekjesh e gjakderdhjesh, u arrit që shqiptarët në Kosovë të frymojnë lirshëm”, ka shkruar Latifi.

Ky është shkrimi i plotë i Latifit, kushtuar 14 qershorit (shkrimi është publikuar më 13 qershor):

Të dashur qytetarë të komunës së Rahovecit!

Nesër është 14 Qershori, Dita e Çlirimit të Rahovecit me rrethinë.

Rahoveci, Kosova dhe gjithë shqiptarët anekënd botës kremtojnë 20-vjetorin e çlirimit të vendit. Pas një periudhe të gjatë zie, vuajtjeje, mjerimi, poshtërimi dhe nëpërkëmbjeje, shqiptarët e Kosovës e panë dritën e lirisë. Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme dhe rezultoi me fitore. Krahas luftëtarëve të lirisë, kauzës tonë të drejtë e humane iu bashkuan edhe popujt e civilizuar dhe pas shumë përpjekjesh e gjakderdhjesh, u arrit që shqiptarët në Kosovë të frymojnë lirshëm.

Pjesë e rëndësishme e kësaj sakrifice madhore për liri e të drejta kombëtare ishte dhe Rahoveci me rrethinë. Për dekada me radhë shumë burra e gra të kësaj ane qëndruan e luftuan me vetëmohim, duke u bërë sinonim sakrificës. Lufta dhe UÇK-ja gjetën shtrat të mirë në këto anë dhe shumë luftëtarë u rreshtuan në radhët e UÇK-së, me bindje e besim në fitore.

Bashkëluftëtarët e mi të rreshtuar nën flamurin e Brigadës 124 “Gani Paçarizi “, përshkuan rrugë luftarake të gjatë e të mundimshme, ku secili ka përjetimet e veta dhe ndjenat e përziera të dhimbjes, mallit e të krenarisë si për veten, poashtu, edhe për shokët e rënë në përpjekje për liri kundër pushtuesve serb.

Rëniet e shumë dëshmorëve janë dëshmi e kësaj qëndrese të pashoq. Shtëpitë tona u bënë strehë e luftëtarëve të lirisë nga anekënd trojeve shqiptare. Secili qytetar i Rahovecit me rrethinë, secili anadrinas duhet të ndjehet krenar për këtë të kaluar heroike dhe të ndjehet pjesë e kontributit për liri.

Anadrinia për liri dha djersën e ballit, mundin dhe gjakun dhe bëri shumë për dëbimin e forcave pushtuese nga këto troje.

Komunës tonë në luftën çlirimtare, vërtet ju vranë bijtë dhe bijat më të mirë, burrat, gratë dhe fëmijët, por fitoi heronj, dëshmorë e martirë që ju bënë themele lirisë së Kosovës.

Në këtë ditë kremte kujtojmë të gjitha ata që luftuan dhe u flijuan për idealin e lirisë, duke marrë mbi vete përgjegjësitë individuale e institucionale që na takojnë. Jetësimi i aspiratës së dëshmorëve tanë mund të bëhet vetëm duke punuar mirë, ndershëm dhe me përkushtim. E ardhmja ju takon popujve që investojnë për të mirën e brezave.

E gëzofshim Kosovën tonë të lirë e të përparuar!

Lavdi e nderim për të gjithë të rënët për liri!

Reklama