Dita e Çlirimit, kujtojmë Tonin dhe Micin – kush ishin dy heronjtë e Rahovecit

Të inspiruar nga simboli i sakrificës dhe i përkushtimit atdhetar profesor Ukshin Hoti, Toni e Mici që në rininë e hershme ishin brumosur me idetë e atdhedashurisë dhe urtisë kombëtare.

Ishin këto vite kur Kosovën e kishte pllakosur dhuna dhe represioni i rëndë serb. Përdhosja e dinjitetit të shqiptarit ishte bërë përditshmëri. Rrjedhimisht kjo gjendje reflektoi drejtpërdrejt në krijimin e personalitetit të tyre. Toni dhe Mici dhe shumë moshatarë të tyre anekënd Kosovës e kishin kuptuar qartë faktin se asgjë nuk do të ndryshohej vetvetiu. Të pakënaqur me zhvillimet në Kosovë në fillim të viteve 90 dhe të pafuqishëm që pa një mbështetje më të gjerë të popullit t’i ndryshojnë ato, shumë nga këta pishtarë të lirisë me zemër të thyer do të mërgojnë në anë të ndryshme të Evropës.

Një fat të tillë e pati edhe Xhelal Hajda, fëmija i gjashtë, më i vogli i Bajramit dhe nënë Gjylës. Familja Hajda shquhej për burrëri dhe trimëri të rrallë.

Duke u vendosur në Kroaci, Xhelali bie në kontakt më Fehmi e Xhevë Lladrofcin, me Naim Malokun, me Bekim Berishën e me Agim Çekun, me të cilët e lidhi ideali për çlirimin kombëtar. Gjatë luftërave në Kroaci dhe në Bosnjë Xhelalin e mbante shpresa se një ditë të gjithë së bashku do të jenë nëpër malet dhe fushat e Kosovës për çlirimin e të cilave u derdh shumë gjak. Kjo ishte ideja shtytëse, motoja jetësore dhe ideali i tij i vetëm që i printe kudo, madje edhe në luftimet më të vështira në frontet e përmendura. Në Kroaci ishte njohur më Ton Markun, i cili e pagëzoi me emrin e tij. Me këtë emër ai do të futet në Kosovë. Fillimin e karrierës së tij prej luftëtari të lirisë do ta fillojë në Zonën Operative të Dukagjinit, ku do të lidhet më vëllezërit Haradinaj, ndërsa pas tërë aktivitetit ushtarak që tregoi, del në Drenocin e Rahovecit, bashkohet më Selajdin Mullabazin-Micin vetëm e vetëm që të jetë pranë Rahovecit, ta themelojë Shtabin Operativ Lokal, qëllim të cilin edhe e arrin.

Selajdin Mullabazi-Mici, duke ndjekur gjurmët e gjyshit të tij Halil Hamzës, të njohur për qëndresën antiosmane e antiserbe, shumë shpejt iu bashkua luftëtarëve të lirisë në Drenicë, ku edhe e nisi karrierën e tij prej luftëtari. Edhe Micit i rrahte zemra fort që pas eksperiencës së fituar në Drenicë të kthehej në vendlindje për të shtuar pushkët e lirisë edhe në këtë anë.

Bashkimi me Tonin ishte moment i rëndësishëm në jetën e tij. Toni dhe Mici shumë shpejt u bënë emrat më të autoritetshëm të luftës në Anadrin dhe më gjerë. Si duket, bashkimi i tyre nuk kishte qenë koincident. Te njëri-tjetri ata gjenin unifikimin më harmonik të karaktereve që shprehej përmes dashurisë së madhe për njëri-tjetrin dhe për të gjithë bashkëluftëtarët e tyre, admirimin e madh për kombin e tyre të përvuajtur por stoik e krenar. Kishin pasur fatin të japin kontributin e tyre modest për rikthimin e nderit kombëtar dhe të devotshmërisë që të shkojnë deri në fund në rrugën e filluar, duke përfshirë këtu gatishmërinë për sakrificën më sublime.

Prej 26 prillit 1998 Toni dhe Mici vepruan së bashku për krijimin e shtabit operativ lokal “Arti” në Rahovec. Së bashku me shokët tyre të idealit dhe të armës dhe me mbështetjen e Shtabit të Përgjithshëm arritën këtë synim dhe themeluan pikën operative te “Kërshi i Keq”, në “Lugun e Shqipeve”, jo shumë larg Rrasave të Rahovecit, bri aksit rrugor Rahovec-Malishevë. Në mbështetje të “Artit” qëndronin formacionet “Çeliku”, “Pëllumbi”, “Lumi” dhe ”Vlora”, pra luftëtarët e Drenicës, të Llapushës, të Malishevës dhe të Anadrinit.

Në veprimtarinë e Tonit dhe të Micit spikat një art i lartë luftarak dhe udhëheqja brilante e aksioneve dhe betejave nga më të vështirat. Sigurisht se pa aksionet e tyre nuk do të mund të shkruhej e plotë historia e luftërave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Zonës Operative të Dukagjinit dhe në Zonën Operative të Pashtrikut, sidomos Lufta e Rahovecit, Beteja te Lugu i Shqipeve, aksionet tek Ura e Brodit, në Grykën e Bërnjakës, te Tehet e Mullabazve, në aksin rrugor Piranë-Xerxë, në Fortesë, në Rrasë të Zogut, në Bokat e Shishmanit, në kanalin e Ratishit, në Lugun e Vranocit, në Kryqin e Ratkocit, në Bardaniq, në betejat përreth Shqiponjës dhe në shumë beteja dhe aksione ku Tonit dhe Micit u kishte rënë të bashkëluftojnë me Adrian Krasniqin, me Fadil Nimanajn, me Agim Zenelin, me Ilaz Kodrën, me Rasim Kiqinën e me Besim Malajn.

Pas luftimeve të ashpra të shtatorit Toni e konsideronte me rëndësi të veçantë strategjike rivënien nën kontroll të aksit rrugor Rahovec – Therandë rrëzë maleve të Shkozës. Në funksion të kësaj ai vendoset në Reti, prej nga mund të ushtronte vëzhgim në fshatrat Apterushë, Brestofc, Zoqisht e Hoqë të Madhe, ku kishte forca të mëdha policore e paramilitare të stacionuara dhe lëvizëse, të cilat synonin nga Hoqa e Madhe ta merrnin Brestofcin, Hoqën e Vogël, Retinë dhe aksin që lidh rrugën Prizren-Gjakovë. Luftimet heroike të Tonit e Micit me shokë, në betejat e Izbishtit të 16,17 dhe 18 tetorit 1998 realizuan disa objektiva të rëndësishme të luftës. Në radhë të parë armikut iu dëshmua prezenca e forcave çlirimtare në një qark shumë afër Rahovecit dhe Hoqës së Madhe, pastaj këto beteja arritën të pengojnë shtrirjen e paramilitarëve në hapësirën e fshatrave ndërmjet aksit magjistral Prizren- Gjakovë dhe atij Rahovec-Therandë, duke ruajtur kështu korridorin shumë të rëndësishëm Kushnin-Drenoc-Zatriq-Gurbardh-Drenoc-Drenicë. Pas thyerjes në Izbisht, forcat serbe pretendojnë marrjen e Apterushës, dy herë radhazi, por ndeshen në rezistencën e luftëtarëve të lirisë më 3 e 4 nëntor dhe veçmas më 5 nëntor, kur arritën deri te Gurra e Apterushës, me ç’rast dëbohen turpshëm dhe me humbje të mëdha.

Po të rikthehemi në realitetin e atyre ditëve që mbretëronte në rrethinat e Rahovecit dhe në pjesën më të madhe të Kosovës, nuk është vështirë ta kuptojmë barrën e madhe që kishte rënë mbi luftëtarët e lirisë dhe veçmas mbi udhëheqësit e tyre. Vështirësitë dhe shantazhet që krijonte armiku për ta dekurajuar popullin e Kosovës dhe ushtrinë e tij nga përpjekjet çlirimtare ishin të shumta. UÇK-ja në këtë sfidë të madhe me sukses arriti ta ruajë e ta forcojë strukturën dhe efektivet e saj, mbase duke testuar kështu veten për luftime të stazave të gjata. E tërë kjo u arrit me përpekje mbinjerëzore dhe me sakrifica e flijime të mëdha. Kishin rënë këto ditë në altarin e lirisë bijtë më të mirë të kombit, Bedri Shala, Ymer Alushani (Vogëlushi), Ismet Jashari (Kumanova), Hamdi Berisha e Sadik Shala dhe shumë dëshmorë të tjerë, por çmimi i lirisë akoma nuk ishte arritur. Të vetëdijshëm për këtë, Toni dhe Mici, si dhe qindra bashkëluftëtarë të tyre e vazhduan luftën me vetëmohim të pashembullt.

Pikërisht në ditën e sotme të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, te kryqi i Apterushës, në luftime ballë për ballë me forcat paramilitare bien heroikisht Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri. Toni dhe Mici, këto dy figura emblematike të Luftës Çlirimtare ranë derisa po shoqëronin grupin e luftëtarëve të Zonës Operative të Shalës në misionin e shenjtë të tyre të furnizimit me armë nga Shqipëria. Betimin e dhënë të ushtarit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se: “ Luftëtarët njëri-tjetrin duhet mbrojtur deri në vdekje”, Toni e Mici e respektuan dënjësisht.

Në fund do të kisha dashur që nga këndvështrimi i një historiani të paraqes një opinion shkencor se si historia duhet dhe do ta trajtojë luftën e fundit çlirimtare.

Sadoqë metodologjia historiografike kërkon respektimin e distancës kohore, megjithëkëtë për aspekte të veçanta të luftës së UÇK-së, të cilat plotësisht dihen, mund të flitet e shkruhet pa ngurrim që tani.

Së pari, Dalja në skenë e UÇK-së erdhi në momentin vendimtar, kur ende nuk ishin humbur të gjitha shanset për të ngritur çështjen e Kosovës përpara Fuqive të Mëdha për zgjidhje;

Së dyti, Lufta që nisi UÇK-ja hodhi në ujë planet që kishte bërë Beogradi për anashkalimin e problemit të Kosovës, duke e quajtur çështje të mbrendshme të saj, që do ta zgjidhte me anë të negociatave me grupet etnike që jetonin atje;

Së treti, Sulmet e para të suksesshme të UÇK-së e detyruan Serbinë të angazhojë tërë arsenalin dhe potencialin e saj ushtarak, policor e paramilitar, me çka do të tërhiqet vëmendja e faktorit ndërkombëtar se në Kosovë kishte filluar lufta e armatosur e popullit shqiptar kundër okupimit serb dhe se nuk ishte fjala, siç thuhej në mediat serbe, për “grupe terroriste”, por për një ushtri të organizuar që po luftonte për çlirimin e Kosovës.

 

Reklama