Diplomojnë 15 kadetë të rinj të FSK-së

Sot është duke u mbajtur ceremonia e diplomimit e kadetëve të FSK-së, gjenerata 2020 në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe pjesë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili ka thënë se synimi strategjik është anëtarësimi në NATO.

“Dua që emrat tuaj t’i dëgjojë çdo qytetar dhe të kuptohet se pse ju jeni të veçantë. Para katër vjetësh ju ishit në mesin e 1000 kandidatëve që synuan uniformën. Testimet rigoroze, studimet ushtarake dhe civile, shkëputja nga jeta familjare, stërvitjet e mundimshme psiko-fizike, pagjumësia dhe marshimet e gjata, ndërtimi i shpirtit ekipor, të gjitha këto nën presionin e kohës ju bëjnë të veçantë dhe të jashtëzakonshëm”.

“Prandaj sot jeni 15 oficerë të rinj nga 1000 që e synonin këtë ditë. Gjërat që për ju nuk kishin kuptim, sot e marrin kuptimin sepse jeni të vetmit që garantoni suksesin dhe arritjen e  fitores. Unë ju besoj juve që nuk do të lejoni që në asnjë vend të Kosovës të parakalojnë ushtri që pas vetes lënë shkatërrim dhe mjerim”.

“Unë besoj se ju edhe më shumë do t’i forconi urat e miqësisë me SHBA-të, Gjermaninë, Turqinë, Britaninë e Madhe dhe shumë partnerë tjerë tanë strategjikë. Unë si ministër i Mbrojtjes në respektimin e Kushtetutës do t’ju qëndroj afër në ndërtimin e një ushtrie profesionale dhe operacionale”.

“Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe unë jam i bindur se me djem e vajza si ju e ardhmja euroatlantike e Kosovës është e sigurt”.

Ndërsa komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka thënë se detyra, nderi dhe atdheu janë fjalët e gdhendura në zemrat e kadetëve të FSK-së.

“Dua të kërkoj falje për ceremoninë që e kemi në këtë formë për shkak të pandemisë. Kemi nderin dhe kënaqësinë që sot t’ju drejtohem juve oficer të rinj. Fillimisht ju përgëzoj që me sukses përfunduat shkollimin. Ju inkurajoj që t’u qëndroni besnik parimeve tuaja. Keni për obligim që ta ruani shpirtin luftarak”.

“Respekti ndaj të tjerëve eliminon çdo frymë paragjykimi. Detyra, nderi dhe atdheu janë fjalët e gdhendura në zemrat tuaja. Këto janë vlerat që ju vendosin në shërbim të këtij populli. FSK vazhdon të zhvillohet çdo ditë, ne po punojmë shumë në procesin e tranzicionit duke u bazuar në konceptet më bashkëkohore”.

“Vizioni ynë është që të zhvillohemi në standarde të NATO-s që në një të ardhme të afërt të bëhëmi edhe ne pjesë e kësaj organizate”.