Dhjetë policë të lënduar pas aksionit në veri

Dhjetë zyrtarë policorë kanë marrë lëndime në aksionin kundër kontrabandës në veri të Kosovës.

Gjendja e të gjithëve është e qëndrueshme.

Ndihma mjekësore të lënduarve fillimisht u është ofruar në Spitalin e Mitrovicës, e katër prej tyre janë referuar për në Klinikën Emergjente në QKUK. Pas stabilizimit të gjendjes të gjithë janë liruar në shtëpi.

Për gjendjen e tyre ka folur drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Në bazë të informatave që kemi pranuar nga ekipet mjekësorë të Qendrës Emergjente janë paraqitur katër zyrtarë policor të cilët tashmë janë liruar në shtëpi dhe gjendja e tyre është stabile. Ata kane shenja të lehta në trup dhe u janë bërë kontrollet e tyre. Dhe tashmë para 20 minutash është liruar edhe zyrtari i fundit”, tha Krasniqi.

Edhe drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Naser Jashari, përmes një përgjigjeje me shkrim ka folur për natyrën e lëndimeve për gjashtë policët që janë trajtuar në këtë institucion shëndetësor.

“Kanë qenë prej lëndimeve trupore të marra si pasojë e rrahjes së tyre, goditjes që kanë marrë prej demonstruesve. Kanë qenë të natyrave të ndryshme, prej lëndimeve trupore të topitura me goditje deri tek ato nga eksplozivi”, tha Jashari.

Njëri nga të lënduarit është edhe kapiteni i Njësive Speciale, Besart Ahmeti. Ai ishte edhe udhëheqës i njësitit të Forcave Speciale Operative në Bërnjak pas vendosjes së barrikadave nga ana e qytetarëve serbë, të cilët në atë kohë kundërshtonin reciprocitetin e tabelave të veturave.

E për bilancin e të lënduarve gjatë këtij aksioni ka folur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Ai ka thënë se ka të lënduar edhe nga ana e personave që kanë sulmuar policët.

“Një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve po ashtu është lënduar. Nuk e kemi konfirmuar ende nëse ka marrë lëndim nga ana e Policisë apo nga gjuajtjet që ka pasur nga qytetarët”, ka thënë Mehmeti në konferencë për media.

Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Reklama