Deri në 20 orë reduktime të rrymës, Qeveria e shpërndan fajin

Të mërkurën në Kosovë u rikthyen reduktimet e energjisë elektrike duke lënë shumë pjesë të vendit në terr.

Ndonëse u paralajmërua vetëm për dy orë reduktime, kjo nuk ndodhi.

Që prej nisjes së reduktimeve, komente e reagime të qytetarëve vërshuan në rrjete sociale, duke shprehur pakënaqësi për oraret e tej zgjatura në terr. Në disa vende, reduktimet shkuan deri në 20 orë.

Të mërkurën, operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS, paralajmëroi për mbingarkesë të sistemit elektroenergjetik në vend, duke paralajmëruar se nga dita vijuese, e enjte, do të ketë reduktime. Ndonëse reduktimet nisen po atë ditë, të mërkurën.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

Fillimisht për një situatë të tillë u lajmërua se do të zgjaste vetëm 24 orë, derisa ishin në pritje të instruksioneve të KOSTT-it, porse përsëri kjo nuk qëndroi.

Një ditë më vonë, KEDS-i njoftoi se reduktimet e energjisë elektrike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se një dukuri që po pengon kyçjen me kohë të grupeve të caktuara, është ngarkesa e madhe që po shfaqet në dalje gjatë këtij procesi, ndërsa u ka bërë thirrje konsumatorëve që janë pa energji elektrike të ç’kyqin pajisjet.

Qytetarë të shumtë nga Prishtina, sidomos nga lagjja Velania, i kanë shkruar KOHËS në mëngjesin e së enjtes se për më shumë se 14 orë nuk kanë rrymë. Shumë prej tyre këtë e kanë bërë edhe nëpërmjet llogarive të tyre në rrjetet sociale.

“Kjo situatë tregon se politika e djathtë, sipas të cilës privatizimi zgjidh problemet me shërbime publike,- është e keqe. Kesco dhe Keds duhet të nacionalizohen. Kur ka fitim – e ndajmë, kur ka humbje – e ndajmë, e jo kështu fitimi i tyre e humbja e jona, edhe shërbimi katastrofik. Futemi në orën e 14-të pa rrymë”, ka shkruar në Facebook qytetari V.G. me vendbanim në Velani, rreth orës 9:30.

Kritika për një gjendje të tillë pati edhe nga opozita. Porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e la pa iu përgjigjur. Ai në mbledhjen e së enjtes të Qeverisë tha se “ata që na fajësojnë për dështimin e tyre për dekada duhet ta shohin veten në pasqyrë”.

E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për këtë gjendje me energji elektrike fajin e shpërndau gjithandej. Ajo fajësoi Serbinë, KEK-un e pastaj edhe qytetarët për krizën energjetike.

Në konferencën për media, ajo ka fajësuar Serbinë që po bllokon linjën energjetike duke shkaktuar devijime në rrjet, shkaku i të cilave KOSTT-i është detyruar që të kërkojë reduktime 8 me 2 në favor të rrymës. Shkak për krizë, sipas saj, është edhe rritja e konsumit të energjisë nga ana e qytetarëve, si dhe rënia e bllokut “B2” të “Kosovës B”. Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, në po të njëjtën konferencë të së enjtes ka thënë se blloku “B2” nuk do të kthehet në sistem së paku deri më 20 janar të vitit të ardhshëm.

E të premten, vendi edhe zyrtarisht hyri në gjendje emergjente me rrymë. Me një vendim të Qeverisë, të marrë të premten, qytetarët e Kosovës rrezikojnë të përballen me reduktime të rrymës për një periudhë më të gjatë. Porse fjalën përfundimtare për gjendjen emergjente për energjinë do ta ketë Kuvendi i Kosovës.

Sipas njoftimit në faqen e Qeverisë, në mbledhjen e 51-të janë shpallur masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji. Masat emergjente do të vlejnë për maksimalisht 60 ditë.

Masat emergjente përfshijnë vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. Të premten, Qeveria vendosi për themelimin e një komiteti që do të japë rekomandim për zbatim të masave emergjente për këtë çështje.

E në anën tjetër të premten nga një grup i qytetarëve u paralajmërua protestë për shkak të reduktimeve të rrymës. Protesta është planifikuar për të hënën nga ora 13:00, ku do të kërkohet edhe shkarkimi i ministres Rizvanolli.

Të shtunën drejtori i sistemit të operimit në KEDS, Bujar Jupaj, ka thënë se planifikimin për reduktimet e energjisë elektrike 8 me 2, e kanë zbatuar në përpikëri, por që sipas tij aty ka paraqitur problem mbingarkesa që ka çuar në problemin në rikthimin e energjisë në disa lagje.

E për shkak të ankesave se reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 20 orë në disa zona të Kosovës, nëpërmjet një shkrimi në “Facebook”, ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli, ka paralajmëruar se është duke e përgatitur një dosje, me raportime të qytetarëve për shfrytëzim të krizës nga ana e KEDS-it, të cilën ka thënë se do ta dërgojë në polici.

Reklama