Dëmtohen shtyllat e ndriçimit dhe kontejnerët te Maja e Shkodranit

Drejtori për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, Artan Asllani, ka njoftuar sot se janë bërë dëmtime të shtyllave të ndriçimit publik, kontejnerëve dhe aseteve të tjera te Maja e Shkodranit.

Asllani ka thënë se dëmtimi i qëllimshëm i pronës publike është vepër penale.

Ai ka ftuar organet e rendit që të hetojnë këtë rast.

Asllani shkruan:

Të nderuar bashkëqytetarë!

Sapo jam njoftuar se janë bërë dëmtime në shtyllat e ndriçimit publik, kontejnerëve dhe aseteve të tjera me vlerë te Maja e Shkodranit, një vend me vlera historike dhe kombëtare ku ndodhet Kalaja e Gurit e ndërtuar për nder të katër dëshmorëve që ranë në Epopenë e Rahovecit në korrik 1998.

Dëmtimi i pronave publike jo vetëm që është vepër penale, por vepra të tilla janë të papranueshme, dëmtimi i monumenteve historike, investimeve publike komunale, janë veprime jonjerëzore dhe nuk përkojnë me kulturën tonë.

Ftojmë organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e këtij akti ç’njerëzor dhe autorët e këtij veprimi të turpshëm të dalin para drejtësisë!

Nuk është hera e parë që po bëhen dëmtime të ngjajshme në këtë lokacion dhe aktet e tilla janë të pa pranueshme.

Investimet në të mirë të qytetareve duhet të mbrohen e jo të dëmtohen.

Reklama