Daut Haradinaj: Për çështjen e Devollëve në homologim do të veprohet konform ligjit

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, në një intervistë me shkrim për Express ë ka folur për çështjen e monopolit të Devollëve për homologimin e veturave, qëndrimet e ndryshme në Qeveri rreth liberalizimit të vizave, mundësinë e rrëzimit të qeverisë dhe vendimin e Kadri Veselit për lirim nga detyra të zyrtarëve që janë nën aktakuza. Vëllai i Kryeministrit, nismën e  fundit të Veselit nuk e sheh si sinjal që e largon AAK-në nga pushteti, përkundrazi, për PDK-në thotë se “është partner serioz dhe stabil në koalicion”.

I pyetur për përplasjet e vazhdueshme mes kryeministrit dhe presidentit, Daut Haradinaj, shprehet se nuk ka ndonjë koment për këtë debat. Thekson se hapja e temës së ndryshimit të kufijve nuk i konvenon Kosovës dhe Serbia duhat ta njohë në shtetin tonë në këta kufijë.

Çështja e homologimit të veturave këto ditë është futur në agjendë nga ambasadat perëndimore dhe Zyra e BE’së të cilët po kërkojnë haptas që të mos ketë monopol në këtë fushë pra të hapet tregu, duke e bërë të mundshme që qytetarët të kenë çmime më të lira. A do ti merr parasysh Qeveria Haradinaj këto kërkesa që partnerët europianë po i bëjnë për të mirën qytetarëve? A ka fuqi e disponim Kryeministri të marrë një vendim në favor të qytetarëve?

Haradinaj: Rreth kësaj teme unë kam besim të plotë se do veprohet konform ligjeve të aplikueshme në Kosovë.

Janë disa veprime të partnerit tuaj qeverisës kryetarit të PDK’së Kadri Veselit i cili pas zgjedhjeve tha se do të shkarkohen zyrtarët partiak me aktakuza, nga kjo e “pësoi” një ministër. Si po i shihni ju këto, a po do Veseli të tregojë që vetëm ai po e lufton korrupsionin në Kosovë?

Është e pandershme nga ana ime nëse i komentoj veprimet e Liderit të PDK-së rreth shkarkimit të zyrtarëve të kësaj partie, ajo që mund të them është se ne e respektojmë vendimin e tij, unë vazhdoj ta ruaj respektin për figurat publike që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Ka deklarata nga kjo parti se Veseli do të jetë kryeministri i ardhshëm a janë këto sinjale për rrëzimin e Qeverisë?

Kjo nuk na shqetëson fare, është e drejt legjitime që secilli lider të aspirojë për postin e kryeministrit, me rëndësi ëshë që ne kemi një partneritet serioz dhe stabil.

Ministrja nga radhët e PDK’së tha se Gjermania është ajo që nuk po i ndihmon Kosovë në BE për vizat, ndërkohë që Kryeministri Haradinaj pikërisht në Berlin iu tha që ata janë për. Pse këto qasje të ndryshme në Qeveri?

Me sa kam informacione, Gjermania është shprehur hapur pro liberalizimit të vizave për Kosovën, ne duhet të punojmë pa rreshtur që t’i bindim të gjitha shtetet e BE-së që sa më parë qytetarët tanë të lëvizin lirshëm, Kosova dhe institucionet i kanë përmbushur obligimet e kërkuara dhe me të drejtë presim që edhe vendi ynë të jetë pjesë e strukturave Euro –Atlantike.

Takimi i paparalajmëruar në mes të delegacionit të Kosovës dhe atij serb në Berlin bëri që Presidenti Thaçi të flas për takime sekrete pikërisht për atë që ai vet akuzohet. Si deputet si i shihni raportet e Presidentit të Kosovës dhe Kryeministrit që po përplasen shpesh, kohëve të fundit madje edhe për atë se kush ka të drejtë të ndaj medalje?

Nuk i kometojë këto debate, me rëndesi është që Kosova të forcojë shtetin e vetë të shpallur më 17 Shkurt.

A ka përfunduar çështja e korrigjimit të kufijve apo do të shtrohet në tavolinën e bisedimeve. Cili është opinioni?

Hapja e temave te kufijve në Ballkan është temë që në këto rrethana nuk i konvenon Kosovës, ne jemi të vendosur që vetëm njohja reciproke në këta kufij është rruga me e mirë për të ecur tutje.

Reklama