Covid-19 ktheu në fshat shumë qytetarë të Kosovës – Video

Ky është fshati Prapashticë në malësinë e Gollakut. Është një nga fshatrat më piktoreske në Komunën e Prishtinës. Kjo rrugë e pashtruar të çon te shtëpia e familjes së 79-vjeçarit, Ajvaz Abazi. Kohën e pandemisë ai po e kalon në fshatin e vendlindjes.

Mësuesi i pensionuar ka filluar të merret edhe me disa punë rreth shtëpisë së tij në fshat.

Edhe pse në fshat të madh e me hapësirë të konsiderueshme, ai po kalon edhe kohën e izolimit social dhe distancimit fizik me të tjerët. Sidoqoftë, Ajvaz Abazi po e shijon qëndrimin në fshat.

Për të është mundësi e mirë për t’u marrë me gjërat që i ka më së shumti qejf.

Ndërkaq, shpesh nëpër lule këtu ka bletë, pikërisht pasi që vëllai i tij, Ramadan Abazi, merret, ndër të tjera edhe me bletari.

Ai thotë se është gëzuar nga vendimi i Ajvazit për t’u kthyer në fshat. Kohë pas kohe ai tregon se i japin ndihmë njëri-tjetrit rreth punëve rreth shtëpisë.

Ngjashëm me Ajvazin edhe Ramadani nuk e preferon daljen në kryeqytet në kohën kur COVID-19 është shumë i përhapur.

Sipas tyre, në fshat janë kthyer 12 familje qysh nga përhapja e rasteve të para me koronavirus. E sido që të jenë këto lëvizje, Ajvaz Abazi thotë se do ta vazhdojë qëndrimin në fshat për sa kohë që virusi vazhdon të jetë rrezik.

Reklama