Çmimin letrar “Sulejman Krasniqi” për vitin 2021 e fitoi studentja Xhyzide Shehu

Fituesja e çmimit të parë në konkursin letrar “Sulejman Krasniqi” për vitin 2021 është studentja Xhyzide Shehu.

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, i cili ka ndarë çmimin, ka thënë se poezia e saj “E përhumbur” u vlerësua si krijimi më i mirë.

“Ndërsa sot pata kënaqësinë që bashkë me kolegët e mi t’ia dorëzojmë dekoratën dhe mirënjohjen komunale Xhyzides. Në vlerësimin e jurisë komunale, ndër të tjera thuhet, “Kjo poezi, që i përafrohet një proze poetike, ka gjuhë të pasur e të figurshme, është e srukturuar mirë në aspektin gjuhësor e meditues, por ka edhe elemente të poezisë lirike. Përdorimi i duhur i figurave stilistike e bën këtë krijim artistik interesant dhe me veçanti të dallueshme artistike”, ka shkruar Latifi.

Latifi e ka uruar Shehun për çmimin, duke e inkurajuar për krijime të reja.

“Fitueses i urojmë për këtë arritje, ndërsa i inkurajojmë edhe krijuesit tjerë që të mos heqin dorë dhe të vazhdojnë të krijojnë dhe të japin kontribut për pasurimin e jetës kulturore e artistike në komunën e Rahovecit. Ne mbetemi të përkushtuar të mbështesim në vazhdimësi krijuesit, si dhe të gjithë artistët tanë, qofshin ata profesionistë apo edhe të rinjtë e të rejat që e duan artin dhe krijimtarinë letrare”, ka shkruar ai.

Reklama