Burgoset deputeti Etem Arifi

Deputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi, është dorëzuar në organet e drejtësisë.

Arifi tani është duke u transferuar në burg.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, ka konfirmuar për KOHËN, se Arifi është pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Ai ka thënë se deputeti është lajmëruar vetë.

Ai ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione. Vendimi u bë i plotfuqishëm në janar të 2020-s. Për dënimin Arifi ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese, por kjo e fundit javën e shkuar njoftoi se e ka shpallur të papranueshme kërkesën e tij.

Arifi deri tash ndodhej në arrati.

Arifi në mandatin e fundit e ka bërë të kontestueshme edhe kushtetutshmërinë e Qeverisë Hoti. Ai ishte një nga 61 deputetët (vota minimale) që i dhanë votën formimit të Qeverisë Hoti. Pasi dënimi ndaj tij u bë i plotfuqishëm, Lëvizja Vetëvendosje e çoi rastin në Kushtetuese duke kontestuar kushtetutshmërinë e mandatit të tij. Kushtetuesja ende s’ka vendosur për rastin.

Arifi ka ushtruar mandatin e deputetit, ndonëse Kushtetuta në paragrafin e tretë të nenit 70 përcakton që “mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: … dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim”.

Reklama