Bujqit po mbjellin më pak grurë sivjet: Subvencionet u vonuan, nafta dhe plehrat u shtrenjtuan

Shirat filluan, duke krijuar kushte të përshtatshme për mbjelljen e grurit në Kosovë, megjithatë këtë vit si asnjëherë tjetër bujqit nuk po e mbjellin grurin. Parashikohet se me mosmbjelljen e grurit, plotësimi i nevojës vendore do të jetë edhe më i vogël dhe importi i miellit në Kosovë do të rritet.

Kjo lidhet më së shumti me politikat e pafavorshme për bujqit nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë në këtë kohë krize. Duke filluar nga vonesa e subvencioneve, e deri te shtrenjtimi i naftës dhe i plehrave minerale, janë shkaktarët pse bujqit nuk e shohin të leverdishme mbjelljen e grurit në këtë vit.

Nafta është rritur për rreth 25-30% ndërkaq plehrat minerale janë shtrenjtuar për 100% ose më shumë. Sipas bujqve, nga 7 euro sa e blinin një thes pleh në vitin e kaluar, sivjet detyrohen ta blejnë me 15 euro ose më shumë.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës nuk po aplikon çmime preferenciale për bujqit për naftën e as plehun kimik. Aq sa e paguajnë naftën veturat luksoze, po aq paguhet edhe për traktorët e mjetet bujqësore që mbjellin arat. /RP/

 

Reklama