Bislimi: Normalisht që kemi ndryshuar qëndrimet, veç injorantët nuk i ndryshojnë

Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherit kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka pranuar që ka ndryshuar qëndrimet e tij në disa aspekte, pasi i njëjti në atë botë kundërshtonte ashpër marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fushën energjetike, ndërsa sot në ujditë e kontestuar, e hedh nënshkrimin e tij.

Për Bislimin, udhërrëfyesi për të cilën janë dakorduar me palën serbe, të martën e 21 qershorit në Bruksel, nuk përbën shkelje të sovranitet, edhe pse ai ende sot e kësaj dite, marrëveshjet e kaluara i konsideron të dëmshme, të cilat rrjedhimisht kanë derivuar udhërrëfyesin në fjalë.

“Mos implementimi i tyre ka krijuar një situatë në terren e cila ka qenë edhe më e pafavorshme. Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 kanë paraparë që qytetarët në Veri të paguajnë rrymën, mirëpo një gjë e tillë nuk është zbatuar në terren”, ka thënë Bislimi në një intervistë për RTV Dukagjini.

Bislimi në arsyetimin e tij, se pse ka nënshkruar marrëveshjen të cilën për një kohë e ka konsideruar të dëmshme, ka thënë se po të rinegocionte atë, fitues në këtë rast do të ishte pala serbe.

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-të dhe 15-tës, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar të futet në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka shtuar ai.