BIK-u i lëshon faturë astronomike mërgimtarit për ceremoni mortore, kompensohet në shtetin ku jeton

Një varrim me ceremoni, Bashkësia Islame e Kosovës në Pejë e ka faturar në shumën e 1 mijë e 490 eurove. Kjo është bërë për ta ndihmuar një mërgimtar. Me këtë vërtetim të lëshuar nga BIK-u në Pejë, ai mund ta mashtrojë shtetin në të cilin jeton dhe si kompensim t’i marrë paratë e faturuara për shpenzimet e varrimit dhe ceremonive përcjellëse. Për këtë ka reaguar me arrogancë nënshkruesi i këtij vërtetimi, kryetari i BIK-ut në Pejë, Musli Arifaj.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj ka nënshkruar një dokument të dyshimtë, me të cilin ‘vërteton’ se një mërgimtar ka shpenzuar 1490 euro për varrosjen e prindit në Kosovë.

Arifaj ka pranuar ta nënshkruaj këtë vërtetim për t’ia mundësuar mërgimtarit që këtë shumë të fryer parash ta kthejë në llogari të veten kur të kthehet në shtetin ku jeton, sipas procedurave për kompensim.

“Vërtetimi në fjalë i lëshohet …. në bazë të kërkesës … dhe mund ta përdorë para organeve përkatëse ….. për kompensim të shpenzimeve”, thuhet në vërtetimin e shpenzimeve të lëshuar nga Bashkësia Islame e Pejës.

Vetëm hapjen e varrit të të ndjerit, BIK-u i Pejës e ka faturuar në shumën e 350 eurove. Në realitet, hapja e varrit në Kosovë nuk kushton më shumë se 50 euro.

Arkivoli, sipas BIK-ut ka kushtuar 250 euro, ndërkaq qefini, çarçafat dhe mbulesa 80 euro.

120 euro, në bazë të vërtetimit, kanë kushtuar piramida dhe kurora e varrit.

Transporti i kufomës vlerësohet të ketë kushtuar 50 euro.

Shërbimet fetare, të cilat nuk janë specifikuar, sipas BIK-ut i kanë kushtuar mërgimtarit 50 euro.

Shumë e madhe parash është faturuar edhe për shpenzimet për ‘t’pamen’ e të ndjerit, saktësisht 570 euro. /Insajderi.com/

Reklama