Avdullah Hoti rizgjedhet kryetar i LDK-së në Rahovec

Avdullah Hoti është rizgjedhur në krye të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Hoti në një postim në rrjetin social Facebook.

Hoti në postimin e tij ka falënderuar anëtarësinë e LDK-së në Rahovec për besimin e dhënë.

“Është përmbyllur me sukses procesi zgjedhor në Degën e LDK-së në Rahovec. Falënderoj të gjithë anëtarët e LDK-së për kontributin e dhënë në zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik, siç i ka hije LDK-së. Jam shumë i nderuar me besimin e anëtarëve të LDK-së për të udhëhequr me degën e LDK-së në Rahovec. Dëshiroj të falënderoj të gjitha strukturat e LDK-së për angazhimin gjatë këtyre katër viteve. Ka qenë privilegj për mua të kem besimin e mijëra aktivistëve të degës”, ka shkruar Hoti pas rizgjedhjes së tij në kryetar i degës së LDK-së në Rahovec.

Ai tutje ka shkruar se: “Jam i bindur se Dega e LDK-së në Rahovec ka potencial të madh. E kam vërejtur tek qindra qytetarë që kam takuar gjatë zgjedhjeve nëpër 39 nëndegët e LDK-së në Rahovec në muajin e fundit. LDK-ja e ka qartësuar vizionin e saj për qeverisjen e ardhshme. Dhe ne në Rahovec e kemi shumë të lehtë për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve. Tash na presin shumë punë. Besimi i qytetarëve në LDK në mbarë Kosovën po forcohet çdo ditë. Kjo është përgjegjësi për ne, për LDK-në si partia më e vjetër në Kosovë që ka vënë themelet e shtetit të Kosovës. Duhet të përgatitemi për të marrë përsipër sfidat e forcimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës”.

Hoti ka shkruar se si degë mesatare e LDK-së nuk do të mbetet prapa dhe se  mund të shkojnë përpara nëse e mbështesin njëri tjetrin, nëse i besojnë më shumë njëri tjetrit.

“Çdo veprim i imi në të kaluarën në Degë duhet kuptuar si veprim për të quar përpara Degën. Çdo veprim i imi në të ardhmen do të ketë vetëm këtë qëllim, që të qojë përpara Degën. Prandaj, i ftoj të gjithë anëtarët e LDK-së të punojmë së bashku, ta ruajmë dhe ta forcojmë LDK-në në Rahovec”, përfundon njoftimi Hotit në llogarinë e tij në Facebook.

Reklama