Austri: Kirugu ia pret 82 vjeçarit këmbën e gabuar

Një burri të moshuar i është prerë këmba gabimisht.

Sipas një deklarate të Klinikës Freistadt, 82 vjeçarit të martën do t’i hiqej këmba e majtë, por në vend të kësaj, për shkak të “gabimit njerëzor” u amputua mbi gju këmba e djathtë.

Kjo ndodhi pasi atij i ishte vendosur shenja në këmbën e gabuar nga mjekët e spitalit.

“Ishte e enjte në mëngjes, ku gjatë mjekimit të plagës, u zbulua gabimi tragjik, i shkaktuar nga gabimi njerëzor”, njofton Klinika, transmeton Kronen Zeitung përcjell Klan Kosova.

Pacienti vuante edhe nga sëmundje të tjera dhe gjendja e tij shëndetësore nuk ishte aq e mirë.

“Një kombinim katastrofik i rrethanave çoi në heqjen e këmbës së djathtë të pacientit në vend të të majtës”.

Familja e të moshuarit është njoftuar me ngjarjen dhe është e shokuar.

Atyre u është ofruar mbështetje psikologjike, ndërsa spitali gjithashtu i ka dërguar prokurorit publik të rajonit detajet e incidentit.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të zbardhur çështjen, për të hetuar të gjitha proceset e brendshme dhe për t’i analizuar ato në mënyrë kritike. Çdo hap i nevojshëm do të merret menjëherë”.

Kirugu i përfshirë në incident është larguar nga detyra, shkruan Kronen Zeitung përcjell Klan Kosova.

Reklama