Asociacioni i Arkitektëve për konkursin e sheshit: Komunat e tjera të Kosovës ta ndjekin shembullin e Rahovecit

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka përshëndetur procesin e shpalljes së konkursit ndërkombëtar për dizajnimin e sheshit qendror të Rahovecit, duke e quajtur iniciativë të mirëfilltë nga ana e Komunës së Rahovecit dhe UN-Habitatit.

Projekti i cili po zgjon shumë vëmendje dhe po shikohet më një sy pozitiv nga ana e shumë njerëzve dhe profesionistëve, tashmë si rrallëherë, është përshëndetur edhe nga arkitektët kosovarë, të cilët janë të organizuar nëpërmjet Asociacionit.

Madje Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka ofruar edhe ndihmën e vet profesionale pro bono, ndërkohë që ka inkurajuar të gjitha komunat e tjera të Kosovës që ta ndjekin shembullin e Komunës së Rahovecit në projekte të ngjashme.

“Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës përshëndetë iniciativën e mirëfilltë të Komunës së Rahovecit dhe UNHABITAT, për shpalljen e konkursit ndërkombëtar për Dizajnin e Sheshit Qendror të Rahovecit. Pas Komunës së Rahovecit dhe Komunës së Prishtinës, inkurajojmë të gjitha komunat tjera të Kosovës që të ndjekin këtë shembull të punës profesionale”, thuhet në njoftim.Për Central City Square of Rahovec – International Design Competition, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës shpreh gatishmërinë për të ofruar ndihmën e saj profesionale pro bono.  Ju kujtojmë se konkursi mbyllet më 16 Nëntor 2020”, thuhet në njoftim.

Të gjitha informatat rreth konkursit i gjeni në web-faqen:  https://centralsquare-rahovec.info/documents/

 

Reklama