Arti i Luftës dhe përpjekja e VV-së për (ҫ)kapjen e shtetit!

Shkruan: Esheref HAXHIU

Rreth 2400 vite më parë, gjeneralit dhe filozofit Kinez, Sun Tzu, për nevojat imediate të luftrave që zhvilloheshin në atë kohë, iu desh që të formoj një armatë prej grave. Për shkak të mentalitetit patriarkal, një gjë e tillë ishte thuajse e paimagjinueshme të bëhej. Por, si i menҫur dhe i shkathtë që ishte, Sun Tzu arriti që për pak kohë ta realizoj këtë qëllim, duke e përdorur një strategji shumë të thjeshtë.

Pas një periudhe të shkurtë të trajnimit, Tzu i ndau gratë në dy grupe dhe për secilin grup e zgjodhi nga një përfaqësues, të cilave ju dha detyra e komandimit. Mirëpo, ato, të befasuar me realitetin ironik që po ndodhte, nuk arrinin dot që të merrnin seriozisht rolin që u ishte caktuar. Provat e para dështuan për shkak se gratë qeshnin. Tzu konstatoj se faji i dështimit ishin dy gratë komandante. Për këtë, ai urdhëroi ekzekutimin e tyre. Më pas u zgjodhën dy gra të tjera, dhe gjithҫka më pas vajti sipas planit. Armata e grave u krijua dhe ishte në dispozicion për luftë.

Sulmi i VV-së ndaj kryetarës së KQZ-së shënon fillimin e arritjes së asaj që deri më tani konsiderohej e pamundur – (ҫ)kapja e shtetit nga VV. Në javët dhe muajt në vazhdim, më shumë gjasë, do të jemi dëshmitarë të skenave të kryqëzimit publik edhe të përfaqësuesve të institucioneve të tjera të rëndësishme në vend. Nëpërmjet kryqëzimit të disa figurave institucionale, VV do të synoj që të nënshtroj pjesën dërmuese të administratës së shtetit, për shkak se atë e konsideron materie e nomenklaturës së kaluar.

Fatkeqësisht, shumë nga ne do të gëzohemi me këto skena. Do të mendojmë dhe do të besojmë se ҫkapja po ndodh. Por, ajo që në fakt pritet të ndodh, është vetëm një kapje e re, më e fortë se sa kapja e deritanishme.

Reklama