Arrestohen dy policë, dyshohen për dallavere me patentë shoferë

Dy policët e arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës dyshohet se janë përfshirë në skandalin e madh me dallavere për patentë shoferë.

Siç merr vesh Koha Ditore, policët me emrat S. dhe N., kanë qenë nën hetime për këtë keqpërdorim.

Hetimet për këta dy zyrtarë të Policisë i ka nisur vetë policia, pas ekzaminimit të incizimeve, i ka thënë Kohës Ditore një burim.

23 persona janë arrestuar në fillim të këtij muaji, prej tyre 16 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Dyshohet se të arrestuarit ua kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shoferë pa hyrë në teste, duke pranuar ryshfet prej 400 deri në 1,000 eurosh.

Dy zyrtarët policorë janë intervistuar dje në cilësinë e të dyshuarve për dy vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare”. Inspektorati Policor i Kosovës perms një njoftimi ka bërë me dije se me vendim të prokurorit kompetent këta zyrtarë policorë janë arrestuar dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Reklama