Aprovohen 53,600 zarfe me fletëvotime nga jashtë, refuzohen 20,400

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se ka përfunduar vlerësimi i të gjitha pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Shërbimi Votues i KQZ-së të premtën në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt”, ka deklaruar Elezi.

Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.

“Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse Shërbimi Votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në Qendrën e Numërimit të Rezultateve”, ka potencuar Elezi.

Aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Deri më tani janë rinumëruar rreth 88% e vendvotimeve.

Reklama