Ana Brnabiq komenton helmin në zarfet që erdhën nga Serbia

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, duke komentuar rastin e ndërprerjes së numërimit të votave nga Serbia pas rastit me zarfet që shkaktuan alergji, ka thënë se kjo është “përpjekje që serbët e tyre t’i fusin në qeverinë e re të Prishtinës”.

“Kam frikë se nuk i intereson sesi votuan serbët, dhe serbët që do të hynin në atë qeveri nuk u interesojnë. Bëhet fjalë për njerëzit të cilët kur deshën ta bënin ushtrinë e Kosovës direkt e shkelën Kushtetutën e tyre”, tha ajo për Tv Pink.

Nëntë persona, të gjitha këto femra, dy prej tyre shtatzënë, nga 26 që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nga kontakti me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, atyre u është shkaktuar alergji në fytyrë dhe duar. Gjendja shëndetësore e të gjitha femrave sipas mjekëve të QKUK-së, raportohet të jetë stabile.

Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë ende nuk kanë bërë të ditur se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë. E ndërkohë, rasti sipas zyrtarëve të QNR-së ndodhi në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës.