AMMK: Prania e gjarpërinjve në Gërmi nuk është shqetësim

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka thënë përmes një komunikate të premten se ka pranuar disa ankesa për praninë e gjarpërinjve në Parkun “Gërmia” në Prishtinë.

AMMK-ja vlerëson se prania e gjarpërinjve në këtë park nuk është shqetësim por pjesë e biodiversitetit të kësaj zone.

Po ashtu sipas AMMK-së, rastet e kafshimeve nga gjarpërinjtë helmues ndodhin si pasojë e shkeljeve aksidentale me këmbë ose kapjes me dorë.

“Në adresë të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kanë ardhur disa shqetësime nga disa vizitorë dhe nga mediat të cilët kanë informuar për praninë e llojit të gjarprit Vipera Ammodytes në Parkun e Gërmisë. AMMK ju bënë me dije që prania e gjarpërinjve në Parkun e Gërmisë nuk është shqetësim por pjesë e rëndësishme e biodiversitetit të kësaj zone. Masivi malor i Gërmisë paraqet një pasuri natyrore shumë të rëndësishme jo vetëm për Prishtinën me rrethinë por edhe tërë Kosovën. Gërmia është mjaftë e pasur me lloje bimore e shtazore si dhe vlera tjera të ruajtura të biodiversitetit. Në këtë masiv deri më tani janë të njohur 4 lloje të gjarpërinjve e ndër ta edhe lloji helmues Vipera ammodytes (gjarpri i gurit, nepërka). Gjarpërinjtë, si çdo lloj tjetër i shtazëve të egra, kanë instiktiv e vetëmbrojtjes dhe në rast se ndihen të kërcënuar ata do të mbrohet. Rastet e kafshimeve nga gjarpërinjtë helmues, që fatmirësisht ndodhin shumë rrallë, janë si pasojë e shkeljeve aksidentale me këmbë ose kapjes me dore pa i kuptuar pasojat qe mund të vijnë me pas”, thuhet në komunikatë.

Sipas agjencisë, ata që vizitojnë parkun duhet të kenë kujdes jo vetëm nga gjarpërinjtë por edhe nga gjallesat e tjera të cilat ndodhen në vendbanimin e tyre.

“Prania e gjarpërinjve nuk duhet të paraqet asnjë shqetësim për vizitorët eventual të Parkut Gërmia, por gjithsesi se secili duhet pasur kujdes që jo vetëm gjarpërinjtë por edhe gjallesat tjera të mos shqetësohen në vendbanimin e tyre natyrorë me qëllim të mos kemi ndonjë ankesë për ndonjë sulm eventual prej tyre me qëllim të vetëmbrojtjes”, thuhet më tej në komunikatë.