Ambasada Amerikane paralajmëron rreziqe nga terrorizmi në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka lëshuar një njoftim për qytetarët, ku paralajmërohet për rreziqe të mundshme nga organizatat terroriste transnacionale dhe individët e frymëzuar nga ideologjia ekstremiste në Kosovë.

“Gjatë sezonit verorë masat e sigurisë në Kosovë mbeten të larta si shkak i kërcënimeve të vazhdueshme nga organizatat transnacionale terroriste dhe individët të inspiruar nga ideologjia ekstreme”, shkruan në njoftimin e Ambasadës.

Sipas ambasadës, vendet që duhet shmangur janë lokacionet turistike, turmat e mëdha, qendrat tregtare, mjetet transportuese, klubet dhe shënjestrat tjera që frekuentohen nga perëndimorët.

“Ekstremistët vazhdojnë të fokusohen në lokacione turistike, mbledhje të mëdha publike, qendra tregtare, mjete transporti, klube dhe shënjestra tjera që frekuentohen nga perëndimorët”.

Ambasada u ka kërkuar qytetarëve që të ushtrojnë vëmendje të shtuar në lokacione me turma të mëdha, të rishikojnë planet e tyre të sigurisë, të jenë të vëmendshëm për gjërat që i rrethojnë dhe t’i monitorojnë mediat lokale për lajme.

Reklama