Aksioni i PSD’së në qeveri pas punësimeve familjare të VV’së: Sallë dasmash – këndon Besnik Bislimi, pronar Albin Kurti

Partia Socialdemokrate ka ndërmarrë një aksion simbolik nëpërmjet shkrimeve nëpër xhamat e Qeverisë, pas raportimeve për punësime familjare nga Lëvizja Vetëvendosje.

Aktivistë të PSD’së në objektin e qeverisë, me anë të ngjyrës, e kanë vendosur në objektin e qeverisë mbishkrimin “Sallë Dasmash – Këndon Besnik Bislimi”.

Lidhur me aktivitetin ka mbajtur konferencë zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, e cila ka thënë se punësimet në baza nepotiste janë përsëritje e qeverisjeve të kaluara.

“Ky emërtim që e kemi shkru nuk është i yni, kështu i pati nda punët vetë z. Kurti. Dasmat janë për fis, për ahengje private thoshte ai, s’ka dasma nëpër ministria. Po përputhen fjaltë sepse siç po shihet, kjo është një sallë dasmash ku pronar është Albin Kurti e këngëtar është Besnik Bislimi. Veçantia e ahengjeve është që muzika ndërrohet sipas dëshirës, ndërrohen edhe fjalët përbrenda këngëve, vallja hedhet sipas dajës. Kemi pa këtu punësime të familjarëve, ministri të mbushura me familjarë e shoqëri, të cilat Qeveria Kurti i kishte kundërshtuar zëshëm”, ka deklaruar ndër të tjera ajo.

Aksioni vjen pas raportimeve të punësimit të Gëzim Tosunit, nipit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Lidhur me punësimin, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë një arsyetim interesant. Ministrja e Drejtësisë pati thënë se Bislimi i ka thënë që nuk e ka takuar nipin e tij ndonjëherë.

“E pyeta për kureshtje tha se ndoshta në 50 vjetet e fundit ndoshta e kam takuar njëherë, Nuk e mbaj në mend se çfarë e ka”, pati deklaruar ajo.

Reklama