AKR-ja kërkon që Pacolli të jetë kandidat për president

AKR, të premten, ka kërkuar që Behgjet Pacolli të shpallë kandidaturën e tij për president të vendit.

Naim Murseli, këshilltar i Pacollit, në një postim në Facebook ka shkruar se kandidaturën e Pacollit po e kërkojnë edhe “një pjesë e qytetarëve dhe e shoqërisë civile”.

“Kjo gjë po kërkohet tani edhe nga partia, Aleanca Kosova e Re. Gjithmonë duke respektuar mandatin kushtetues të Presidentit aktual. Si ish-President i vendit, z. Pacolli ka dëshmuar se i vendos interesat e vendit para ato të tij. Në rast të marrjes së detyrës ai do të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të AKR-së”, ka shkruar Murseli.

Më 2011, Pacolli kishte marrë këtë post, megjithatë Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm zgjedhjen e tij për shkak se ishte i vetmi kandidat dhe në sallën e Kuvendit ishin vetëm 67 deputetë kur ishte votuar për të parin e shtetit, ndërsa kërkohet që të jenë prezentë së paku dy të tretat e 120 anëtarëve.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga ana e Pacollit, por ai nuk ishte i qasshëm të premten.

Ditë më parë, Ramush Haradinaj i AAK-së shpalli kandidaturën e tij për president të vendit, disa muaj para se Hashim Thaçit t’i përfundojë mandati si i pari i vendit.

Reklama