Ahmetaj i QNR-së: Do të rinumërohen 1407 vendvotime dhe jo 1472 siç është thënë

Procesi i rinumërimit të mbi 1 mijë vendvotimeve është duke vazhduar në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

Megjithatë, siç ka treguar koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, do të rinumërohen vetëm 1 mijë e 407 vendvotime dhe jo 1 mijë e 472 siç është thënë me herët në vendimin e PZAP-it.

Në një prononcim për Gazetën Express Ahmetaj ka thënë se “kjo ka ndodhur për shkak se nga numri i përgjithshëm të vendvotimeve që PZAP ka marrë vendim për rinumërim, 38 vendvotime janë shënuar nga dy herë, 18 nga vendvotimet janë rinumëruar më herët dhe 7 prej tyre nuk korrespondojnë me vendvotimet që i kemi në Qendër”.

Ai ka thënë se kanë kërkuar sqarime nga PZAP-i se si të veprohet me 18 vendvotimet që janë rinumëruar një herë dhe gjithashtu edhe për 7 prej tyre që nuk korrespondojnë me vendvotimet që gjenden në QNR.

Ahmetaj ka thënë se pas rishikimit të listave, do të rinumërohen 65 vendvotime më pak, madje ka sqaruar se nga lista që e kanë marrë nga PZAP-i figurojnë 1470 vendvotime për rinumërim.

“Me rishikimin e listave zyrtarisht janë 1 mijë e 407 vendvotime”, ka thënë Ahmetaj.

Vendimi për rinumërimin e mbi 1 mijë vendvotimeve PZAP-i e ka marrë më 11 nëntor të këtij viti, pasi kishte shqyrtuar mbi 100 ankesa të partive politike. Po atë ditë kishte marrë vendim që të mos përfshinte në rezultatin përfundimtar edhe mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia.

“Prej 100 ankesave PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në, për rinumërimin e 1472 vendvotimeve”, thuhej në vendimin e PZAP-it të marrë këtë të hënë.

Deri tash në QNR janë numëruar rreth 13 për qind e vendvotimeve dhe procesi po vazhdon në tensione. Nga LVV-ja dhe Nisma janë duke u shkëmbyer akuza për presion ndaj komisionerëve në Qendrën e Numërimit.