Agim Veliu jep dorëheqje

Kryetari i deritanishëm i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tashmë e ka paraqitur edhe aktin e dorëheqjes nga kjo pozitë, pasi të hënën zyrtarisht është emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administrtës në Qeverinë Kurti.

Lajmin e ka konfirmuar nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili do ta ushtrojë detyrën e të parit të komunës derisa të përfundojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë Komunë.

“Po e ka dorëzuar aktin e dorëheqjes me shkrim pardje pasdite dhe dje me shkresë përcjellëse ia kam dërguar MAPL-së, e cila e njofton zyrtarisht kryetarin e shtetit për procedim të mëtutjeshëm, shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune e pastaj afatet i cakton KQZ”, ka thënë Nexhmi Rudari, raporton Koha Ditore.

Agim Veliu e ka lënë në gjysmë mandatin e kryetarit të Podujevës për t’u emëruar në pozitën e ministrit. Për këtë është kritikuar nga shoqëria civile dhe opozita në Podujevë.

Drejtori ekzekutiv i rrjetit të organizatave lokale “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari, e kishte quajtur këtë veprim të Veliut si papërgjegjësi dhe mosrespekt ndaj qytetarëve, të cilët e kishin zgjedhur për të qenë kryetar komune.

Njësoj kishte thënë edhe kryetari i Qendrës së VV-së në Podujevës, Bajram Ajeti. Të dy kanë thënë se premtimet e Veliut të bëra në fushatë tashmë nuk do të mund të realizohen.

Reklama